Erion Vishkulli, i cili mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës, ka rrëfyer detaje nga momenti i goditjes dhe periudha e vështirë e rikuperimit.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Vishkulli tregoi se ndodhej në sheshin pranë Bankës së Shqipërisë, përballë efektivëve të policisë, kur ndjeu papritur një goditje të fortë.
Ai tha se në ato momente nuk kuptoi se çfarë kishte ndodhur dhe as nga i kishte ardhur goditja. Dhimbjet e forta e rrëzuan në tokë dhe pas 2-3 minutash humbi ndjenjat, duke përfunduar në spital.
Ai rrëfen detajet e situatës, teksa thekson se ka kaluar një traumë të fortë.
“Dhimbje kam akoma, gjatë ditës duhet të fle të paktën 1 orë. Jam me mjekime dhe me ilaçe. Atë ditë kam qenë në sheshin kryesor, te Banka e Shqipërisë, përballë policëve, nuk po bëja asnjë reagim, kam pasur para turmë protestuesish dhe në atë moment ndjeva një goditje dhe dhimbje të fortë. Nuk e kuptova as çfarë ishte, as nga më erdhi.
Kisha pamje për momentin, nuk e kuptova që e kisha plagën në sy. Më pas bie në tokë nga dhimbjet e tmerrshme, pas 2-3 minutash më bie të fikët dhe përfundoj në spital. Jam përmenduar para se të hyj në sallën e operacionit, dëgjoja mjekët që flisnin për syrin, dëgjoja shokët dhe familjen jashtë. Nga dreka më ka shkruar një shok, Klajdi më ka thënë se kam një maskë të mirë dhe atë duhet, i kam thënë ta mbajë vetë dhe të ruajë veten.
Frikë nuk kisha, shkova me idenë se nuk do të më ndodhte gjë. Po ta kisha maskën, nuk do të më ndodhte. Frikë? Çfarë frike? Kalova një traumë të fortë, kam vuajtur edhe traumta të tjera përtej shikimit, falë Zotit unë e kalova dhe e them sërish se ku ka padrejtësi, unë do ta krej zërin”, shprehet Vishkulli mes të tjerash.













