Një foshnjë e lindur para kohe humbi jetën në spital pas një aksidenti të shkaktuar nga një automjet në arrati që goditi makinën ku udhëtonte nëna e saj 22-vjeçare. Ngjarja ndodhi në Spresiano, në provincën e Trevisos, dhe vogëlushja lindi më 14 nëntor, në muajin e tetë të shtatzënisë, përmes një lindjeje urgjente pasi nëna mbeti e plagosur në përplasjen rrugore. Sipas hetimeve paraprake, automjeti i përdorur nga personat që dyshohen të ishin të përfshirë në një vjedhje u përplas me makinën ku ndodheshin edhe motra e 22-vjeçares dhe partnerët e dy motrave. Pas përplasjes, ata që po tentonin të shpëtonin nga policia dyshohet se braktisën makinën dhe u larguan në këmbë përmes zonave rurale.
Hetimet kanë zbuluar se automjeti i përdorur ishte marrë me qira në Romë duke përdorur dokumente të falsifikuara. Prokuroria e Trevisos ka nisur hetimet për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia në aksident rrugor; deri tani procedimi është ndaj personave të paidentifikuar. Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e përgjegjësve që shkaktuan aksidentin tragjik.
Ngjarja ka shkaktuar reagime institucionale dhe solidaritet ndaj familjes së viktimës. Presidenti i rajonit të Venetos, Alberto Stefani, u shpreh ngushëllime familjarëve dhe e përshkroi rastin si një sjellje kriminale që ka shkatërruar jetën e njerëzve të pafajshëm, përfshirë një grua në muajin e tetë të shtatzënisë. Ai theksoi se një familje e pafajshme është detyruar të paguajë një çmim të papranueshëm për dhunën dhe papërgjegjshmërinë e atyre që, për t’u shmangur përgjegjësisë, kanë vënë në rrezik jetën e të tjerëve. Autoritetet italiane vijojnë hetimet dhe kërkimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe sjelljen para përgjegjësisë të personave të përfshirë.
