Procesi i konsultimit për projektligjin e Kodit të ri të Procedurës Penale do të vijojë edhe javën e ardhshme. Ministria e Drejtësisë pritet të zhvillojë takimin e fundit me përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile, përpara se të nisë shqyrtimi i komenteve dhe propozimeve të mbledhura.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se afati zyrtar i konsultimit publik përfundoi më 28 tetor, por kjo nuk shënoi mbylljen e procesit. Sipas tij, projektligji u publikua për konsultim më 30 shtator dhe puna për hartimin e versionit përfundimtar vijon ende.

Gogu bëri me dije se gjatë kësaj faze janë marrë sugjerime nga gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të SPAK-ut, avokatë, ekspertë dhe qytetarë. Në hartimin e projektit kanë kontribuar edhe ekspertë të Këshillit të Evropës, ndërsa dokumenti i është përcjellë gjithashtu Komisionit Evropian.

Ministri pranoi se nisma ka përballur edhe kritika, të cilat po trajtohen në kuadër të konsultimeve. Ai theksoi se qëllimi i këtij procesi është që propozimet të dëgjohen dhe të shqyrtohen, jo thjesht të formalizohet marrja e mendimeve.

Përpara se projektligji të marrë formën përfundimtare, mbeten edhe tre hapa: takimi i fundit me median dhe shoqërinë civile, vlerësimi i propozimeve dhe publikimi i raportit përkatës, si dhe dërgimi i projektligjit në qeveri e më pas në Kuvend.

Sipas Gogut, çdo propozim i shqyrtuar do të marrë një përgjigje, ndërsa raporti i konsultimit do të bëhet publik. Vendimmarrja përfundimtare, pas përfundimit të këtyre fazave, do t’u takojë qeverisë dhe Kuvendit.

Ministri nënvizoi se Kodi i ri i Procedurës Penale duhet të ruajë ekuilibrin mes garantimit të të drejtave të qytetarëve dhe pajisjes së institucioneve me instrumentet ligjore të nevojshme për hetimin e veprimtarisë kriminale.