Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Denizlit, në Turqinë jugperëndimore, ku një biznesmen 49-vjeçar është gjetur i vdekur brenda banesës së tij, me duart e lidhura me litar dhe me shenja të shumta dhune në trup.

Viktima, Feday Karagöz, ndërtues dhe pronar i një biznesi mermeri, dyshohet se është vrarë pas një përplasjeje me dy burra që, sipas raportimeve të mediave turke, i kishte gjetur në shtëpinë e tij së bashku me bashkëshorten.

Sipas gazetës “Milliyet”, Karagöz ishte kthyer më herët nga një udhëtim pune, pa paralajmëruar, dhe në momentin që kishte hyrë në banesë kishte gjetur gruan e tij, Asiye Karagöz, me dy burra të tjerë. Pas kësaj, mes tyre dyshohet se kishte nisur një debat i ashpër, i cili përfundoi në një përleshje fizike.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit, në lagjen Alparslan, në zonën Merkezefendi të Denizlit. Fqinjët, pasi dëgjuan zhurma të forta dhe britma që vinin nga banesa, njoftuan menjëherë policinë.

Me të mbërritur në vendngjarje, efektivët konstatuan se askush nuk po ua hapte derën. Për këtë arsye, ata kërkuan ndihmën e një çelësbërësi për të hyrë në banesë.

Brenda shtëpisë, 49-vjeçari u gjet i shtrirë pa shenja jete, me duart e lidhura me litar dhe me shenja të dukshme të një rrahjeje brutale. Ekipet mjekësore të mbërritura në vendngjarje konfirmuan vdekjen e tij.

Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, biznesmeni fillimisht është dhunuar nga dy burrat dhe më pas është mbytur. Megjithatë, rrethanat e plota dhe shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të përcaktohen nga hetimet dhe ekspertiza mjekoligjore.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar bashkëshorten e viktimës dhe dy burrat që dyshohet se ndodheshin në banesë në momentin e krimit. Ndërkohë, situata është tensionuar edhe më tej kur të afërmit e biznesmenit kanë tentuar të sulmojnë njërin prej të arrestuarve, duke kërkuar të marrin drejtësinë në duart e tyre.

Hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej të arrestuarve vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb