Rama thumbon Spiropalin: Tani është e lirë, s’ka pse të më ndjekë më
Kryeministri Edi Rama ka folur për raportin e tij me Elisa Spiropalin dhe deklaratat e kësaj të fundit, gjatë një interviste në podcastin “Rishtazi”, ku u pyet nga një gazetar shqiptar i Maqedonisë së Veriut.
Rama u përpoq fillimisht ta shmangte diskutimin, duke argumentuar se nuk komenton çështjet e brendshme politike të Shqipërisë në intervista për media që operojnë në shtete të tjera.
Megjithatë, ai bëri një deklaratë të drejtpërdrejtë për Spiropalin, duke thënë se ajo tashmë është e lirë në jetën politike dhe nuk ka më detyrimin ta ndjekë atë apo Partinë Socialiste.
“Plus pastaj, Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste”, u shpreh Rama.
Gazetari e pyeti nëse deklaratat e Spiropalit mund të krijojnë kundërshti me qëndrimet dhe masat që kryeministri kishte shpjeguar më herët. Rama iu përgjigj se kundërshtitë nuk mund të rrëzojnë të vërtetën apo faktet, nëse ato qëndrojnë më vete.
“Asnjë kundërshti nuk e dëmton të vërtetën për sa kohë e vërteta flet për veten e vet. Asnjë kundërshti nuk i dëmton faktet për sa kohë faktet pozicionohen ashtu siç duhet”, deklaroi ai.
Në fund, Rama i krahasoi kundërshtitë me erërat që, sipas tij, vetëm e forcojnë një pemë, duke shtuar se ato mund të shërbejnë edhe për të kuptuar se ku qëndron problemi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



