Gazetari Artan Hoxha ka ngritur pikëpyetje mbi rezultatet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke vënë në dukje diferencën e madhe mes pasurive të sekuestruara personave të përfshirë në krimin e organizuar dhe atyre që u janë marrë zyrtarëve të lartë.
Duke komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan Eric Wend gjatë një seminari me prokurorët e SPAK-ut dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Hoxha u shpreh se mbështetja e vazhdueshme amerikane për institucionet e reja të drejtësisë duhet të shoqërohet me rezultate konkrete, veçanërisht në goditjen e korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.
Gazetari iu referua raportit të kreut të SPAK-ut të paraqitur në Kuvend për vitin e kaluar, ku sipas shifrave që ai përmendi, për zyrtarët e lartë janë sekuestruar 1.1 milionë euro, ndërsa shuma e konfiskuar ka qenë vetëm 100 mijë euro.
Sipas Hoxhës, ky bilanc nxjerr në pah një hendek të thellë mes pasurive që lidhen me krimin e organizuar dhe atyre që dyshohet se janë përfituar përmes korrupsionit nga zyrtarët dhe politikanët.
Ai kritikoi gjithashtu fokusin e institucioneve te goditja e krimit të organizuar, duke argumentuar se SPAK-u dhe GJKKO-ja u krijuan pikërisht për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta të shtetit, ndërsa për këtë kategori rezultatet mbeten larg pritshmërive.
“Ky është problemi numër një. SPAK-u dhe GJKKO-ja u krijuan për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë, sepse krimin e organizuar institucionet e kishin goditur edhe përpara krijimit të tyre. Çfarë tregon bilanci deri tani? Tregon se ne kemi dështuar pikërisht në këtë pjesë”, u shpreh Hoxha.
Gazetari ngriti pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si hetohen pasuritë dhe standardi i jetesës së zyrtarëve të lartë, duke theksuar se luksi dhe shpenzimet e tyre, sipas tij, nuk përputhen me të ardhurat e deklaruara.
Në vijim, Hoxha solli në vëmendje edhe çështjen e lobimit në SHBA, duke krahasuar hetimet që përfshinë Ilir Metën me ato që lidhen me Edi Ramën dhe çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.
Sipas tij, drejtësia duhet të japë përgjigje edhe për këto çështje, pasi lufta kundër korrupsionit nuk mund të kufizohet vetëm te krimi i organizuar dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.
Hoxha theksoi se deklaratat e ambasadorit amerikan duhet të shërbejnë si një sinjal për institucionet e drejtësisë që të rrisin rezultatet në hetimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se janë krijuar përmes korrupsionit.













