“Je hajduti i tretë më i madh i vendit”, Gonxhe përplaset me Berishën në Kuvend: Të ka ngecur sharra në gozhdë që në 1990 me mua

26/11/2026 22:28

Seanca e sotme plenare në Kuvend është shoqëruar me përplasje të ashpra mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ministrit Blendi Gonxhe. Gjatë diskutimeve për projektligjin mbi sponsorizimet në sport dhe kulturë, Berisha lëshoi një lumë akuzash ndaj ministrit, duke e cilësuar atë si të përfshirë në afera korruptive dhe duke përmendur tenderat, kompanitë e lidhura me të dhe pagesat nga inceneratorët.

Nga ana tjetër, Gonxhe i hodhi poshtë sulmet me tone ironike, duke deklaruar se nuk do të zbriste në nivelin e kreut të opozitës. Përplasja u shoqërua edhe me replika personale dhe akuza të ndërsjella nga foltorja e Kuvendit.

Debati në Kuvend:

Berisha: Ky hajdut me çizme që ka shpenzuar mbi 60 milionë euro për një rrugë të shembur. Gazin e keni nga halli ju, jo nga meraku. Vazhdoni. Unë jam mjek mos harroni. Këtij njeriu i besohen 30 milionëshi i sponsorizimeve në një kohë kur është një nga hajdutët më të shpifur të Shqipërisë. A e dini ju ky është blerësi me 6500 euro i pishave të bashkisë. A e dini ju se ky është rikontruktuesi brenda dy viteve, dy herë me nga 7 milionë ndërtesës së drejtorisë së tij. Ky është pronar i kompanisë së transportit. Ky është njeriu që shumëfishoi çmimet e patentave dhe i bëri ato më të lartat në rajon. Është personi që përmbyti Tiranën dhe u arratis në Barcelonë. A e dini ju sa pagesa ka ky nga djegësit. A e di ti? Ku je ti? Ti nuk je. Më mirë vish fustan dhe mos rri aty fare. A e di ti se ka marrë 70 pagesa nga djegësit e Tiranës. Absolutisht që të gjitha do të shkojnë në Prokurori për ty. Ti je një hajdut profesionist. Pra, për ti ndarë me Ramën dhe Lindat, e rrit çmimin e tenderit 1 miliard e 800 milionë. A e dini ju se ky famëzi, të gjitha shitjet në Tiranë i bënte pa noter, në shkelje fragrante të ligjeve. A e dini se ça hajduti i tmerrshëm është ky. E ju tani sillni një ligj për sportin, jo mo jo. Sillni ligj për të ndarë Rama para me të. A e keni parë ju? është i vetmi ministër që del nga një studio në një studio tjetër me detyrim, se e nxjerr Rama. E aty sillet si gangster, sillet jashtë çdo norme të sjelljes të një zyrtari para kamerave. Kërcënon bashkëbiseduesit. Po mirë bën, kur nuk ia këpusin ndonjë nallane kokës apo  ndonjë sandale, se e meriton. Kërcënon, thotë të nxjerr nga studio. Ti do ikësh se je kandidati më i implikuar në të gjitha, e dosja jote nuk ka njeri që ta mban. Nuk ka hajdut si ky. Vetëm marrëdhëniet me kompaninë e të birit do të çuditeni ju. Të shihni ju se si ky i përcaktonte fitimet e të birit.

Gonxhe: Ka marrë portalin

Berisha: Ke një arkivë dixhitale më të zezën pas Ramës dhe Lubisë, ti je numri tre. Pra, ti japësh këtij 30 milionë euro, ky është krim i shëmtuar. Ne nuk jemi kundër sponsorizimeve, jemi absolutisht për sponsorizimin e sportit dhe të kulturës. Por kjo duhet të bëhet në mënyrë transparence, përmes bordeve profesioniste, të cilat i ndajnë ato jo duke ndarë paratë me sponsorizuesit, por i ndajnë mbi bazën e performancës, mbi bazën e drejtimit të zhvillimit të këtij apo atij sporti. Ti japësh mëlçitë e qengjit në qafë të ujkut. Ky e di që është gjerë në palcë delinkuent. Nga frika qesh. Ta dini mirë, ju jetoni në frikë dhe në tmerr. Ndaj ju jeni të gatshëm një herë të qeshni e një herë të qani. Nuk po ju them atë fjalën që ua tha kreu juaj, se them kurrë, por një gjë ua them, ai ju ka për zero, për hiç. Ndaj dhe ju nuk çelni gojë ta mbroni atë. Zero u ka ai ju.

Gonxhe: Doktor, me mua të ka ngelur sharra në gozhdë që në vitin 1990 dhe e kuptoj mirë që mbase, mbase e ke dhe pak personale. Tani nuk do të bie në nivelin tënd, në respekt të atyre qytetarëve, të familjes sime, të familjes socialiste, të gjithë atyre që si bashkëthemelues më vjen jashtëzakonisht keq që janë në thundrën tënde dhe të këtyre kolegëve këtu që i drejton në mënyrë kaq të ulët. Unë nuk do të bie në nivelin tënd, do të them vetëm këtë gjë. Këtu kemi një ish-kryetar të KLSH-së. Mendoj që zyrtarët shtetarë, ata që marrin përgjegjësi dhe që në rrugën e tyre të jetës kanë drejtuar institucione, kanë menaxhuar fonde, kanë mbajtur përgjegjësi, gjykohen dhe vlerësohen nga aktet, nga raportet, nga gjetjet, nga të gjitha.

Top Channel