Britania kontakton 100 mijë rezervistë, rrit gatishmërinë përballë kërcënimeve nga Rusia

Europë | 13 minuta më parë

Ministria britanike e Mbrojtjes ka ndërmarrë një hap të pazakontë duke kontaktuar rreth 100 mijë rezervistë strategjikë dhe veteranë të forcave të armatosura, në një përpjekje për të forcuar gatishmërinë kombëtare dhe kapacitetet mbrojtëse të vendit përballë rritjes së tensioneve të sigurisë në Evropë.

Sipas raportimeve të medias britanike, për herë të parë që nga periudha e Luftës së Ftohtë, rezervistëve u janë dërguar letra zyrtare ku u kërkohet të përditësojnë të dhënat e kontaktit, profesionet aktuale dhe aftësitë që zotërojnë, si dhe t’u ofrohet mundësia për t’u angazhuar vullnetarisht në trajnime dhe stërvitje ushtarake.

Autoritetet britanike theksojnë se ky veprim nuk nënkupton mobilizim të menjëhershëm të rezervistëve, por synon të krijojë një pasqyrë më të qartë mbi burimet njerëzore që mund të jenë të disponueshme në rast të një emergjence kombëtare apo përshkallëzimi të një krize.

Ministria e Mbrojtjes e cilësoi nismën si një “hap praktik për forcimin e përgatitjes dhe parandalimit”, ndërsa theksoi nevojën për të përditësuar informacionin mbi ish-ushtarakët që mund të disponojnë aftësi të vlefshme si në sektorin ushtarak, ashtu edhe në atë civil.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Londra po shpreh shqetësime në rritje për sigurinë evropiane dhe për veprimet e Rusisë. Javët e fundit janë raportuar incidente pranë kufijve lindorë të NATO-s, ndërsa Britania ka shtuar masat mbrojtëse për bazat e saj ushtarake dhe infrastrukturën strategjike.

Sekretari britanik i Mbrojtjes ka deklaruar se vendi po operon në një “mjedis me kërcënim të shtuar” dhe se përgatitja paraprake është thelbësore për të shmangur mungesën e gatishmërisë në rast krizash të ardhshme.

Ndërkohë, drejtuesit e Ushtrisë, Forcave Ajrore dhe Marinës Mbretërore u kanë bërë thirrje rezervistëve të mbajnë lidhje me institucionet ushtarake, duke vlerësuar përvojën dhe ekspertizën e tyre si një aset të rëndësishëm për mbrojtjen kombëtare.

Ekspertët e sigurisë e shohin këtë veprim si pjesë të përpjekjeve të Britanisë për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse, në një kohë kur NATO po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi gatishmërisë së vendeve anëtare dhe rezistencës ndaj kërcënimeve të mundshme ushtarake.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme