Eduard Zaloshnja ka publikuar mbrëmjen e sotme, në emisionin “Top Story”, një sondazh për zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës.
Ai vuri në dukje një të dhënë të veçantë që lidhet me zhvendosjen e votës drejt një kandidati jashtë dy forcave kryesore politike, PS-së dhe PD-së.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Zaloshnja, rreth 33% e elektoratit të përllogaritur mund të orientohet drejt një kandidati tjetër, duke krijuar një grup të konsiderueshëm votuesish që nuk identifikohen me partitë tradicionale.
Vox News ka zbuluar se kandidati të cilit i referohet kjo përqindje është kandidati i pavarur Florian Binaj.

Gjatë analizës në studio, Zaloshnja shpjegoi se në Bashkinë e Tiranës janë rreth 500 mijë banorë në moshë për të votuar, ndërsa në zgjedhjet e fundit morën pjesë rreth 300 mijë qytetarë, ose afërsisht 60% e tyre.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk kanë votuar për partitë ekzistuese, duke krijuar një rezervuar të madh votuesish që mund të orientohen drejt një kandidature të re.
“Janë 200 mijë të rritur që nuk kanë votuar për partitë ekzistuese, çka tregon se kemi një rezervuar të madh banorësh të Tiranës, që mund të jenë të prirur të votojnë për dikë krejt tjetër”, u shpreh Zaloshnja.
Ai përmendi gjithashtu edhe lëvizje të votuesve nga dy kampet kryesore politike. Sipas përllogaritjeve të tij, rreth 15 mijë votues të PS-së duan të votojnë për një kandidat tjetër, ndërsa rreth 5 mijë votues të PD-së, që kishin votuar për Belind Këlliçin, po ashtu shfaqin të njëjtën prirje.

Këto kategori, të bashkuara me qytetarët që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mëparshme, e çojnë grupin e votuesve të orientuar drejt një alternative tjetër në rreth 33%, sipas analizës së Zaloshnjës.
Një tjetër detaj i sondazhit lidhet me profilin demografik të votuesve të Florian Binajt. Sipas të dhënave të bëra të ditura për Vox News, mosha mesatare e tyre është rreth 11 vite më e ulët krahasuar me votuesit e PS-së dhe PD-së.













