Nga Gerti Çarçani
Ende në “inkubator”, draft-ligji i sponsorizimit thuajse është një shashkë e madhe meritash dhe atributesh, teksa asgjesimi faktik i këtij drafti lidhet te aprovimi paraprak, që natyrisht nënkupton komandë, diktat, bakshish dhe para’ nën dorë, në këmbim të miratimit të një kontrate. Shteti, më shumë është kujdesur të kontrollojë ligjin pa u bërë ende, se sa të kurojë zbatimin e plotë të tij, siç edhe xhanëm duhet.
Pas alarmit argumentues të presidentit Duka, të presidentit të Partizanit Gazmend Demi, të presidentit të Skënderbeut Ardian Takaj, më tej akoma të presidentit të KOKSH Fidel Ylli, ish-deputet i majtë, sërish duket që shteti, apo draft-bërësit nuk do të lëvizin nga istikami I tyre benefitar: Komanda na takon ne!
E këtë, Kryeministri duhet ta ndalojë me sens logjike, dhe aspak imponimi. Sepse, është dhe do të jetë një marrëzi lehtësisht e kuptueshme ky aprovim paraprak. Duke e zhdukur nga Drafti-ligji do të zhbëjë pa bërë ende, një handikap burokratik dhe përfitues në këtë ligj. Nga të tijët, e ku në fund, balta si përherë do bjerë mbi të.
E nëse I dëgjon aktorët dhe faktorët e politikës, në lidhje me sponsorizimin në sport, të gjithë I bëjnë një skip faktit të aprovimit paraprak të një komande dhe diktati mbi biznesin dhe përfituesit, dhe vëmendjen e spostojnë tek tavani, që mund ta rrisim.
Por, asnjë herë, si ministri Gonxhe, ashtu edhe lideri parlamentar socialist Taulant Balla, fërkuesit e përbashkët të topit sponsorizues sic pamë në foton e publikuar nga vetë Taulanti, nuk japin spjegimin bazik, atë që sot, e për ditë me radhë komuniteti i grupeve të interesit po ulëret me të madhe:
Pse duhet të shkojnë përpara lidhjes së kontratës, palët sponsorizuese dhe përfituese, te Ministri i radhës, në rastin konkret te Gonxhe? Apo, akoma më tej, përse një kontratë e tillë ekonomike kërkon aprovim paraprak edhe nga kreu i tatimeve? Këtu ka një SKIP nga ata, të madh, dhe direkt vëmendja kalon te pragu e tavani! Pikërisht këtu duhet të vërë veton vullnetmirë, njeriu i vetëm që deshi që ky draft-ligj të çajë bllokadën e Financave, Kryeministri Rama. Ai nuk duhet të lejojë për asnjë arësye që të bëhet pis edhe ky binar operues, shumë I domosdoshëm për sportin, futbollin, kulturën dhe artin. Paraprakisht jo, më pas të çojë gjithë shtetin për kontroll, sepse kontrolli është krejtësisht logjik dhe utilitar.
Përtej asaj që mund të bëjë Rama, pse u dashka të trokasësh te Ministria për të marrë aprovimin? Për çfarë?
1. Për të marrë bekimin e ministrit, me “rregullat” e tangentit?
2. Për të kuptuar se ku dikton orientimi financiar?
3. Për tu bërë “djalë I mirë” e të kuptosh që duhet të lësh një përqindje tjetër të pashmangshme, sepse ndryshe nuk e merr këtë sponsorizim?
4. Për të imponuar mbi biznesin, sepse jo këtu, por aty ta orientosh sponsorizimin, “themi ne” që ta japim?
5. Për të frustruar palët që të kuptojnë procesin sic duhet, që këtu e vendos Gonxhja, apo pasuesit e radhës, se kush do të marrë sponsorizim? Deri sot, ligji ja jep marrëzisht këtë atribut. E këtu Blendi s’ka “faj”, thjesht gëzon.
6. Për të çuar sponsorizimin aty ku do vendosë ministri, me hir, apo me pahir?
7. Për të hyrë “palë aksionare” me përfituesit, pas miratimit të kontratës?
8. Për të mos u përballur me shprehjen: Fondi mbaroi, tento sërish vitin tjetër…etj etj etj?
Këto pyetje janë shqetësime që kanë buruar e vazhdojnë të jenë ekzistente direkt nga grupet e interesit të lartpërmendura. Të thëna në një mënyrë, apo tjetër, thelbin e kanë të qartë:
Me komandë nuk kemi bërë asgjë me këtë ligj, thjesht jemi në vendnumëro. Do të sigurojmë ndonjë lek, vetëm kur të kemi lënë ndonjë lek, aty ku duhet, dhe siç duhet.
Vetëm dje, një meso-burrë plak, I urtë, socialist në të shtatqind brezat e tij, por shumë frekuentues futbolli, më ndaloi një moment, e pasi më kërkoi t’ia spjegoja me pak fjalë këtë gjë, apo, mesa do mundte të kuptonte, më tha në fund:
Or djalë, vërtetë edhe këtu duan të marrin lekë….dhe iku duke qeshur me stilin e tij…Një socialist I mirë, një xhaxho I mirë që kuptoi se çfarë gjelle po “gatuajnë” me sponsorizimin.
Aprovimi paraprak është një marrëzi e madhe, dhe këtu Rama duhet të ndërhyjë, me forcë dhe me neveri absolute për këdo e ka ngjizur këtë idiotësi që mban erë, sepse është thjesht dhe vetëm:
Një Gjobë pushteti, karshi një ligji shteti!
Janë ende në kohë ta ndreqin, e ta bëjnë mirë, mos ta prekin procesin paraprakisht, por ta auditojnë deri në centin e fundit pasi të jetë bërë fakt. Sepse, paraprakisht bie erë që, të gjithë “fakirët” e nderuar (siç shteti do ti quajë) do të jenë të detyruar të lënë komisionin, aty ku mjeshtërisht do ti kërkohet.
Do të ishte vërtetë një shërbim I mirë për sportin e për futbollin, dhe do të ishte në nderin e vetë ministrit Gonxhe, që këtë nen që mban erë ta pastronte nga ky draft me një vullnet personal publik.
Do të ishte një iniciativë pozitive, për herë të parë e z.Balla që ky aprovim paraprak të shmangej përfundimisht nga ligji e të mos cënonte, shantazhonte, apo të impononte palët sponsorizuese dhe përfituese që në start.
Të paktën, këto lekë…mos I prekni..! Ngrini njëqind task-forca e komisione Ad-HOC më pas për ti kontrolluar përfituesit nga sponsorizimi, sepse janë lekë shteti, e padiskutim që duan kontroll absolut. Por, jo paraprakisht. Lëreni këtë radhë, sportin, futbollin, artin e kulturën të rikuperojnë sado pak në forcimin e tyre financiar. Mos ua merrni edhe këtë “kafshatë”….








