Një situatë alarmante është raportuar mbrëmjen e sotme në autostradën Tiranë-Durrës, në zonën e Sukthit, ku një gropë e madhe në rrugë është kthyer në një kërcënim serioz për jetën e drejtuesve të automjeteve.
Shumë qytetarë i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar se të paktën 14 automjete kanë pësuar çarje të gomave pasi kanë kaluar në të njëjtën gropë. Numri real i automjeteve të dëmtuara mund të jetë edhe më i lartë.
Qytetarët paguajnë taksa për mirëmbajtjen e rrugëve, por përballen me një infrastrukturë që u rrezikon jetën edhe në një prej akseve më të rëndësishme të vendit. Çfarë mirëmbajtjeje bëhet kur një gropë në mes të autostradës arrin të nxjerrë jashtë funksionit kaq shumë automjete brenda një mbrëmjeje?
Sipas dëshmive, një xhep i autostradës, rreth 50 metra larg gropës, ishte mbushur me makina të dëmtuara, ndërsa të tjera vijonin të mbërrinin. Madje, sipas denoncimit, edhe automjeti i policisë së njoftuar për situatën kishte përfunduar me goma të çara.
“Shikoni çfarë shteti kemi ne, 14 makina sot me goma të çara nga një gropë në autostradë. Këto pamë ne, nuk e di sa kanë qenë më parë dhe sa kanë rënë më pas. Mirë që nuk thyem kokën. Këto janë burim aksidentesh!”, shprehet një qytetar.
Denoncuesit nuk kanë mundur as të fotografojnë gropën, pasi dalja në autostradë në kushtet e errësirës përbënte rrezik për jetën e tyre.
“Te ruhesh nga moti i keq apo nga gropat që po na marrin jetën? Kush mban përgjegjësi për këtë? Shtet hajdutësh!”, shkruan një prej qytetarëve të revoltuar.
Është e papranueshme që qytetarët të detyrohen të paguajnë nga xhepi dëmet e shkaktuara nga mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve, ndërkohë që institucionet kanë detyrimin të garantojnë sigurinë e tyre.
Kush do të mbajë përgjegjësi për dëmet? A duhet të humbasë jetën dikush që autoritetet të kujtohen të mbushin një gropë në autostradë?