Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja lidhur me kallëzimin që ka vënë në lëvizje SPAK ndaj deputetes socialiste Elisa Spiropali dhe familjarëve të saj.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Lala bëri të ditur se procedimi është regjistruar në fund të tetorit, por theksoi se Spiropali dhe familjarët e saj nuk kanë marrë zyrtarisht statusin e personave nën hetim.
Sipas gazetares, kallëzimi është anonim, por përmban të dhëna të detajuara mbi aktivitetin e biznesit të bashkëshortit, dy kunatave dhe vëllait të deputetes. Një nga çështjet që po verifikohet lidhet me tenderat që dyshohet se ka përfituar vëllai i Spiropalit në Fier dhe Lushnjë, në periudhën kur bashkëshorti i saj drejtonte ujësjellësin.
Lala përmendi gjithashtu dyshime për një automjet të padeklaruar, i cili më pas është shitur, si dhe të dhëna që lidhen me shpërndarjen e dividendit.
Gazetarja sqaroi se hetimi është ende në fazën fillestare dhe se është shumë herët për të folur për rezultate konkrete. Megjithatë, fakti që kallëzimi ka kaluar verifikimin paraprak dhe është regjistruar për hetim tregon se organi i akuzës ka vlerësuar se ekzistojnë dyshime që duhen verifikuar.
Ajo bëri të ditur se gjatë muajve të fundit janë kryer veprime hetimore, përfshirë këqyrjen dhe marrjen e dokumentacionit në institucionet përkatëse, mes tyre edhe në ujësjellës dhe në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Lala ngriti gjithashtu mundësinë që kallëzimi të jetë nxitur nga përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste, duke theksuar se duhet verifikuar nëse pas tij qëndron një interes politik apo nëse pretendimet kanë bazë faktike.
“Ka luftë në klanet brenda PS-së dhe dikush ka qenë i interesuar për të siguruar të dhëna”, u shpreh gazetarja, duke shtuar se personi që ka hartuar kallëzimin duket se ka pasur akses në informacione të hollësishme mbi aktivitetin ekonomik të familjarëve të Spiropalit.












