5 fitore dhe 2 barazime që meritojnë vlerësim. Jo, futbolli italian nuk duhet nënvlerësuar

27 Nëntor 2026
7:47
Alfred Lleshi
back button

5 fitore dhe 2 barazime, këto të fundit të arritura në fushën e Manchester City dhe PSG, dy pretendenteve kryesore për Champions League. Skuadrat italiane e mbyllën javën europiane pa asnjë humbje. Përveç sukseseve të Comos, Interit, Juventusit, Milanit dhe Atalantës, spikatën Napoli dhe Roma. Ekipi i Allegrit kaloi dy herë në avantazh në “Etihad”, ndërsa Roma e Gasperinit rivalizoi denjësisht kampionët në fuqi të Europës në Paris. Të dyja rrezikojnë eliminimin, por ruajnë shpresat për të kapur fazën e “play off”-it.

Como, një model edhe për italianët – Projekti i Cesc Fabregas te Como, aktualisht i treti në renditjen europiane, dëshmon vlerën e investimit te lojtarët e rinj dhe teknikë. Një tjetër sinjal pozitiv për të ardhmen e kombëtares italiane erdhi nga golat e tre të rinjve: Pio Esposito, Alphadjo Cisse dhe Jeff Ekhator, të lindur në vitet 2005-2006.

Tri fitoret e së enjtes, përfshirë përmbysjet e Milanit dhe Atalantës pas disavantazhit prej dy golash në transfertë, përmirësojnë edhe shpresat e Italisë për një vend të pestë në Champions përmes renditjes së UEFA-s.

Natyrisht, një javë e mirë nuk duhet të sjellë optimizëm të tepruar, por as rezultatet e dobëta të javëve të mëparshme nuk justifikonin nënvlerësimin e Serie A. Në renditjen 5-vjeçare të UEFA-s, përpara Italisë vazhdon të jetë vetëm Anglia. Futbolli italian ka ende vlera për të treguar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit