Pas debatesh dhe përplasjesh të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi miratoi dy akte normative të qeverisë si pjesë e paketës antidhunë, që parashikojnë masa më të rrepta ndaj personave që kryejnë akte dhune gjatë protestave. Akti Normativ nr.5 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr 8773, dt 23.04.2001 ‘Për tubimet’ ” u miratua me 79 vota pro dhe 21 kundër, ndërsa Akti Normativ nr.6 “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve te prekura nga aktet e dhunshme gjate tubimeve dhe rregullimin e pasojave” u miratua me 80 vota pro dhe 20 kundër.
Debatimi në seancë u shoqërua me akuza dhe kundërakuza mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe opozitës, ku në qendër ishte edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që suspendoi pikën që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Deputetët e opozitës kërkuan ndërprerjen e shqyrtimit, duke argumentuar se Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për një akt që është pjesërisht i pezulluar. Tedi Blushi e cilësoi vendimin e Kushtetueses si paralajmërim serioz dhe theksoi se e drejta për protestë nuk mund të kufizohet me gjoba, ndërsa Jorida Tabaku kërkoi ndalimin e diskutimeve duke thënë se aktet normative prekin të drejtat themelore.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, mohoi pretendimet e opozitës, sqaroi se Kushtetuesja kishte pezulluar vetëm pikën lidhur me gjobat për bllokimin e rrugëve dhe se Kuvendi kishte kompetencë kushtetuese për të vijuar shqyrtimin dhe miratimin brenda afatit 45-ditor.
Debati u zhvillua në sfondin e protestave të fundit në Tiranë. Mazhoranca akuzoi opozitën për nxitje të dhunës dhe mungesë distancimi nga sulmet me molotovë ndaj policisë dhe institucioneve. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se gjatë protestave janë ndaluar mbi 200 të mitur; nga më shumë se 300 persona të lënduar, mbi 200 kanë qenë punonjës policie; janë pezulluar nëntë punonjës policie dhe 50 raste të tjera po shqyrtohen administrativisht. Ai kërkoi distancim të opozitës dhe ngriti pyetjen nëse PD ishte përfshirë në organizimin e grupeve që ushtruan dhunë.
Taulant Balla akuzoi PD-në se kishte strehuar persona që hodhën molotovë dhe kërkoi hetimin e zinxhirit komandues për ngjarjet e 21 janarit 2011. Opozita, nga ana e saj, akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës. Gjatë seancës pati edhe përplasje personale ndërmjet deputetëve. Në përfundim mazhoranca miratoi aktet, duke thënë se nisma nuk cenon protestën paqësore, por synon ndëshkimin e dhunës, dëmtimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve. Pika për gjobën prej 5 mijë lekësh mbetet e pezulluar deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
