Mijëra qytetarë kanë dalë në protestë në Erbil, kryeqytetin e rajonit autonom të Kurdistanit në veri të Irakut, kundër vendimit të qeverisë qendrore në Bagdad për të marrë nën kontroll pikat kufitare dhe administrimin e naftës, kompetenca që deri tani i ushtronin autoritetet kurde.
Sipas DW, protestat u zhvilluan të enjten, më 26 nëntor, me pjesëmarrjen e mbështetësve të forcave të ndryshme politike kurde, të cilat në këtë rast janë bashkuar kundër vendimit të Bagdadit. Demonstrata u raportuan edhe në qytete të tjera të rajonit, ku protestuesit valëvitën flamujt e Kurdistanit.
Kryeministri irakian, Ali al-Zaidi, e ka justifikuar vendimin me nevojën për të ndaluar kontrabandën e naftës. Ndërkohë, sipas mediave shtetërore irakiane, forcat kufitare kanë mbyllur dy pika kalimi që administroheshin nga autoritetet kurde: al-Waleed, në kufirin me Sirinë, dhe Bashta, në kufirin me Iranin.
Përplasja mes Erbilit dhe Bagdadit
Vendimi i qeverisë qendrore ka rikthyer në vëmendje konfliktin e gjatë për ndarjen e kompetencave mes Bagdadit dhe autoriteteve të Kurdistanit, një rajon që gëzon autonomi që prej vitit 1991.
Masat e reja parashikojnë që pikat kufitare të kalojnë nën administrimin e qeverisë federale, ndërsa miratimi i eksporteve të naftës nga rajoni do të jetë në kompetencë të Ministrisë Federale të Naftës. Gjithashtu, administrimi i fushave naftëmbajtëse në katër provinca të kontestuara – Kirkuk, Diyala, Salahuddin dhe Nineveh – do t’i kalojë autoriteteve qendrore.
Gjykata Supreme Federale e Irakut e mbështeti vendimin një ditë pas shpalljes së tij. Ndërkohë, qeveria rajonale kurde e kundërshtoi, duke argumentuar se masat shkelin Kushtetutën dhe të drejtat e rajonit, si dhe synojnë rikthimin e një sistemi të centralizuar të pushtetit.
Kryeministri i Kurdistanit, Masrour Barzani, i cilësoi vendimet e Bagdadit “krejtësisht të papranueshme”. Nga ana tjetër, Al-Zaidi shkarkoi drejtuesit e operacioneve ushtarake dhe të policisë në Kirkuk, si dhe kreun e Komisionit për Pikat Kufitare. Ai tha se masat pasqyrojnë vullnetin e pavarur kombëtar të Irakut.
Mosmarrëveshjet për kontrollin e territoreve dhe burimeve natyrore vijojnë prej vitesh, pavarësisht se Kushtetuta irakiane e vitit 2005 njohu zyrtarisht autonominë e rajonit kurd. Një prej çështjeve të pazgjidhura është edhe statusi i territoreve të kontestuara, ku ndodhen disa nga fushat më të rëndësishme të naftës.
Sipas nenit 140 të Kushtetutës, për këto territore duhej të zhvilloheshin regjistrimi i popullsisë dhe një referendum për të përcaktuar nëse do t’i bashkoheshin rajonit të Kurdistanit. Asnjëra prej këtyre procedurave nuk është realizuar.
Përplasja ka rëndësi të veçantë ekonomike, pasi të ardhurat nga nafta përbëjnë pjesën dërrmuese të financimit të buxhetit publik të Irakut. Ndërkohë, vendimi i fundit i Bagdadit ka bërë që edhe forcat politike rivale kurde të bashkohen në kundërshtimin e tij.