E premte, 27 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Kryemadhi ‘për gjynah’: Kam mbetur pa shtëpi, nuk më merr njeri në punë
Lajme

Kryemadhi ‘për gjynah’: Kam mbetur pa shtëpi, nuk më merr njeri në punë

Monika Kryemadhi ka folur për vështirësitë personale dhe familjare që, sipas saj, po përjeton pas hetimeve të SPAK dhe përplasjes me drejtësinë. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, të moderatorit Ylli Rakipi në Vizion Plus, ish-deputetja është ankuar se ka mbetur pa banesë, pa mundësi punësimi dhe me familjen të dëmtuar nga ajo që e cilësoi si fushatë dezinformimi.

Gjatë intervistës, Kryemadhi bëri edhe një deklaratë ironike për mundësinë e përfundimit në burgun e Pogradecit, duke thënë se të paktën aty do ta kishte të siguruar ushqimin dhe do të jetonte në një ambient me ajër të pastër.

“Shtëpinë ma kanë marrë. Mua ma kanë marrë shtëpinë. Ia kthyen shtëpinë vetëm mamit tim. Nga politika më kanë hequr. Në punë nuk më merr njeri. Familjen ma kanë shkatërruar me dezinformime. Çfarë do të më bëjnë mua më shumë? Do më çojnë te burgu i Pogradecit, po punë e madhe, bukën e kam falas, çdo gjë falas, ajër i pastër është”, u shpreh ajo.

Deklarata shkaktoi edhe një batutë nga moderatori Ylli Rakipi, i cili i kujtoi se nuk kishte pasur më parë përvoja të tilla privimi. “Ti s’ke vuajtur për këto qyle”, i tha ai, ndërsa Kryemadhi iu përgjigj me një paralajmërim për atë që e quajti karma: “Ama karma… Do t’ju vijë radha, një nga një, me radhë”.

Nga ankesat për vështirësitë ekonomike te shpenzimet luksoze në dosjen e SPAK

Ndërsa ish-deputetja përshkruan një realitet të vështirë personal, në dosjen hetimore të SPAK janë pasqyruar të dhëna financiare që tregojnë shpenzime të konsiderueshme gjatë viteve kur ajo ishte pjesë e politikës.

Sipas dokumenteve hetimore të bëra publike në media, gjatë periudhës dhjetor 2014 – nëntor 2017, Kryemadhi rezulton të ketë kryer pagesa në vlerën e rreth 234 mijë dollarëve përmes një karte American Express, në pronësi të biznesmenit Adrian Shatku.

Transaksionet përfshijnë blerje veshjesh dhe produkte luksi në qytete si Londra, Vjena, Las Vegasi dhe Beverly Hills, si dhe pagesa për qëndrime në hotele e bileta udhëtimi.

Në dokumentacionin e hetimit përmendet gjithashtu një pagesë prej 12 mijë eurosh në një butik në San Marino, e realizuar brenda një dite.

Të dhënat e analizës financiare të SPAK evidentojnë edhe lëvizje të konsiderueshme në llogaritë bankare të ish-deputetes. Në njërën prej tyre, për periudhën 2014–2022, rezultojnë depozitime që kalojnë 1,1 milionë euro, ndërsa shpenzimet e regjistruara arrijnë në rreth 1,08 milionë euro.

Këto të dhëna janë pjesë e materialeve hetimore dhe lidhen me çështjen për të cilën drejtësia po shqyrton burimin dhe justifikimin e pasurive e shpenzimeve të përfshira në dosje.

Kryemadhi kundërshton analizën financiare të SPAK për nënën e saj

Një tjetër pjesë e intervistës iu kushtua vendimit të GJKKO-së ndaj nënës së saj, Fatime Kryemadhi. Ish-deputetja kundërshtoi mënyrën se si është kryer analiza financiare nga SPAK, duke pretenduar se hetimi ka përfshirë edhe periudha kur nëna e saj kishte dalë në pension.

Kryemadhi ngriti gjithashtu shqetësime për transparencën e proceseve gjyqësore dhe mënyrën se si, sipas saj, po funksionon Gjykata e Posaçme, pavarësisht reformës në drejtësi.

“Në këto 4 vite hetim dhe procese gjyqësore kam mësuar disa metodologji se si funksionojnë. Në fakt, GJKKO-ja, pavarësisht reformës në drejtësi, ka probleme të mëdha. Që nga mungesa e transparencës në procesin gjyqësor, ku nuk lejohet telefoni. […] Mamaja ime ka kërkuar gjykim të shkurtuar, por edhe pavlefshmëri të analizës financiare. SPAK-u e bën analizën nga viti 2002, kur mamaja ime kishte dalë në pension. Por mamaja ime nuk ka lindur pensioniste”, deklaroi ajo.

Në debat ndërhyri edhe analisti Andi Bushati, i cili e zhvendosi vëmendjen te thelbi i akuzave që lidhen me çiftin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Sipas tij, çështja që duhet të jetë në qendër të diskutimit publik është nëse ata kanë përfituar financiarisht në mënyrë të paligjshme.

“Mamaja e Monikës është aty sepse ka një akuzë që Kryemadhi dhe Meta kanë përfituar, dhe debati publik duhet bërë pikërisht për këtë: a kanë përfituar?”, u shpreh Bushati.

Kryemadhi kundërshtoi edhe mënyrën dhe radhën e zhvillimit të proceseve gjyqësore, duke pretenduar se përgjegjësia penale e nënës së saj nuk mund të shqyrtohet e shkëputur nga çështja që lidhet me të dhe Ilir Metën.

“Derisa të jetë gjallë Fatimja, por edhe pas vdekjes, do t’ia vazhdoj unë procesin. […] Ti e akuzon për vepër penale. Që të akuzosh dhe të dënosh Fatimen, duhet të më dënosh mua dhe Metën njëherë. Po nëse dal unë dhe Meta të pafajshëm?”, deklaroi ish-deputetja.

Përplasja lidhet kështu jo vetëm me pretendimet e Kryemadhit për mënyrën se si është zhvilluar hetimi financiar, por edhe me përgjegjësitë që prokuroria kërkon të provojë në procesin gjyqësor. Vlerësimi përfundimtar i këtyre pretendimeve i takon gjykatës.

Kryemadhi përjashton rikthimin në politikë: Nuk kam moral t’u kërkoj votën qytetarëve

Gjatë së njëjtës intervistë, Monika Kryemadhi foli edhe për të ardhmen e saj politike, duke përjashtuar mundësinë e një rikthimi në garën elektorale për sa kohë vijon të jetë në përballje me drejtësinë.

E pyetur nëse ka hequr dorë nga politika, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, ish-deputetja tha se nuk e konsideron të drejtë t’u kërkojë votën qytetarëve pa përfunduar më parë procesi gjyqësor ndaj saj.

Ajo e paraqiti këtë qëndrim si një standard personal dhe moral, duke theksuar se nuk dëshiron të kërkojë mbështetje politike ndërkohë që çështja e saj vijon të jetë në shqyrtim në dyert e gjykatave.

“Përderisa jam në dyert e gjykatave, nuk kam si merrem me politikë. Duke qenë se e kam thënë, me këtë reformë në drejtësi nuk kam të drejtë morale të kërkoj votë para qytetarëve pa mbaruar procesi ndaj meje. Nuk pretendoj të ma bëjë gjyqin GJKKO dhe mediat, por do ta marrë gjykimi hyjnor. Por përderisa kemi votuar këtë reformë, nuk dal dot të kërkoj votë sa jam në dyert e gjykatave”, deklaroi Kryemadhi.

E pyetur për zyrtarë të tjerë që vazhdojnë aktivitetin politik edhe pse përballen me akuza apo procese gjyqësore, ajo u përgjigj se ka zgjedhur të ndjekë një standard tjetër.

“Unë kam standardin tim. Edhe koha nuk të lejon. Nuk kam zyra avokatie t’i kem unë në dispozicion. Jam familjarisht në një proces gjyqësor”, u shpreh ajo.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.