Tahiri fajëson VV-në për humbjen e miliona eurove nga BE-ja
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e ka cilësuar dështim të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti humbjen e fondeve të Kosovës nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, të cilat pritet t’u rishpërndahen vendeve të tjera të rajonit.
Në një bisedë për Ekonomia Online, Tahiri ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosarritjen e përfitimit të këtyre mjeteve, duke thënë se ato do të mund të shfrytëzoheshin për investime në shkolla, projekte kapitale dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Ai ka vlerësuar se humbja e fondeve është pasojë e veprimeve të shumicës qeverisëse, ndërsa ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë edhe mjete të tjera nëse nuk përmbush obligimet e mbetura.
“Humbjet e fondeve të dedikuara për qytetarët e Kosovës janë një gabim jashtëzakonisht i madh i shumicës që udhëheq sot me Kosovën dhe si rrjedhojë janë duke humbur më shumë investime në shkolla, më shumë investime kapitale dhe më shumë benefite për qytetarët e Kosovës. Pra, këto kanë shkuar. Sado që i vajtojmë, nuk besoj që fitojmë diçka”, ka thënë Tahiri.
Megjithatë, deputeti i Aleancës ka theksuar se deri më 31 dhjetor Kosova ka ende mundësi të përmbushë disa nga obligimet që lidhen me Planin e Rritjes, për të përfituar mbi 100 milionë euro në formë grantesh dhe kredish.
Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka dy detyra, ndërsa njëra prej tyre është miratimi i Kodit të Etikës, kurse Qeveria duhet të përmbushë një varg obligimesh ligjore dhe institucionale.
“Ajo që sot duhet të bëjmë ne është që deri më 31 dhjetor janë disa detyra që i ka Kosova, të cilat duhet t’i përfundojë në mënyrë që ta marrë një shumë mbi 100 milionë euro për Kosovën, se janë të ndara. Tani Kuvendi i ka disa detyra, i ka dy, por më kryesorja është Kodi Etik, i cili duhet të kalojë deri më 6 dhjetor, ndërsa qeveria e ka një mori ligjesh dhe veprimesh që duhet t’i marrë, në mënyrë që, në qoftë se nuk i bën, përgjegjësia është e saj e drejtpërdrejtë”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka fajësuar gjithashtu shumicën parlamentare për bllokadat institucionale gjatë viteve 2025 dhe 2026, duke thënë se përgjegjësia për mosrealizimin e obligimeve bie mbi Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Duke folur për raportet me partnerët ndërkombëtarë, ai ka shprehur shqetësimin për rënien e besimit ndaj Kosovës, duke përmendur masat e Bashkimit Evropian dhe përjashtimin e vendit nga dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Besimi i miqve ndërkombëtarë, në veçanti i Unionit Evropian, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka humbur. Pra, ne jemi të përjashtuar nga dialogu strategjik si Kosovë në marrëdhëniet SHBA Kosovë dhe kemi qenë në sanksione për dy vite e nëntë muaj prej Bashkimit Evropian. Pra, besim te ne nuk kanë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar reflektim nga institucionet dhe përmbushje të obligimeve që lidhen me proceset integruese, duke theksuar se orientimi euroatlantik është rruga e vetme për Kosovën.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas përfundimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ka paralajmëruar rishpërndarjen e fondeve që vendet e rajonit nuk kanë arritur t’i përfitojnë për shkak të mosrealizimit të reformave.
Sipas raportimeve, fondet e humbura nga Kosova pritet t’u ndahen Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Rishpërndarje e ngjashme pritet të bëhet edhe me fondet që nuk janë përfituar nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.















