Protesta e 28 Nëntorit/ 2500 forca policore në gadishmëri, ja çfarë masash pritet të merren
Rreth 2,500 efektivë policie do të jenë në gatishmëri për protestën kombëtare të paralajmëruar për nesër, më 28 Nëntor, në Tiranë. Tubimi pritet të zhvillohet me pjesëmarrjen e studentëve dhe mbështetësve të opozitës, ndërsa policia ka marrë masa për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës.
Detajet u bënë publike nga gazetari Esido Barkaj në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, me moderatoren Brikena Prifti. Sipas tij, protesta pritet të nisë rreth orës 10:00, me grumbullimin e qytetarëve pranë Ministrisë së Arsimit ose Kryeministrisë.
Në gatishmëri do të jenë efektivët e gjashtë komisariateve të Tiranës, të mbështetur nga policia e Vorës dhe Krujës, forcat “Shqiponja” dhe FNSH. Vëmendja kryesore do të përqendrohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Rrugën e Durrësit, ndërsa ende nuk ka një itinerar të përcaktuar të protestës.
Pjesëmarrja pritet të jetë më e ulët se në protestat e mesit të tetorit, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë përplasje apo persona të maskuar në vijën e parë.
Sa i përket masave ligjore, Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ, duke hequr gjobat administrative për bllokimin e rrugëve, ndërsa masat e tjera për nxitjen e dhunës dhe sulmet ndaj institucioneve mbeten në fuqi.
/vizionplus.tv




