Plani i kompanisë SpaceX për të vendosur deri në një milion satelitë në orbitën e Tokës ka shkaktuar shqetësim te komuniteti shkencor europian. Observatori Jugor Europian (ESO) paralajmëron se një projekt i përmasave të tilla mund të ketë pasoja të rënda për astronominë, atmosferën dhe sigurinë në hapësirë. Sipas organizatës ndërkombëtare të kërkimit astronomik, një numër kaq i madh satelitësh do të ndryshonte ndjeshëm pamjen e qiellit të natës për banorët e gjithë planetit, duke vështirësuar njëkohësisht vëzhgimin e objekteve të largëta kozmike.

Komisioni Federal i Komunikimeve në SHBA (FCC) i ka dhënë SpaceX autorizimin për vendosjen e një milion satelitëve, të cilët parashikohet të funksionojnë si qendra të dhënash në hapësirë. Drejtori i përgjithshëm i ESO-s, Andreas Kaufer, theksoi se ky vendim nxjerr në pah nevojën për mekanizma ndërkombëtarë që të vlerësojnë dhe kontrollojnë aktivitete të tilla, pasi pasojat e tyre kapërcejnë kufijtë e një shteti dhe prekin interesin e përbashkët global.

Rreziqet për vëzhgimin e hapësirës dhe atmosferën
Në një analizë teknike të publikuar më herët gjatë këtij viti, ESO ka shqyrtuar ndikimin që mund të kenë grumbullimet e mëdha të satelitëve në vëzhgimin astronomik. Sipas ekspertëve, reflektimi i dritës nga këta satelitë mund të pengojë zbulimin dhe studimin e objekteve të zbehta në hapësirë, përfshirë galaktikat e largëta, planetët që rrotullohen rreth yjeve të tjerë dhe asteroidët që mund të përbëjnë rrezik për Tokën.

Shqetësimet nuk kufizohen vetëm te ndotja vizuale e qiellit. Satelitët mund të prodhojnë gjithashtu ndërhyrje radioelektrike, duke vështirësuar punën e teleskopëve që studiojnë universin përmes valëve të radios. Një tjetër problem i evidentuar është ndotja e atmosferës nga lëshimet e shpeshta dhe rikthimi i satelitëve në Tokë në fund të ciklit të tyre të përdorimit. Ndërkohë, prania e një numri kaq të madh pajisjesh në orbitë do të shtonte rrezikun e përplasjeve, të cilat mund të shkaktonin reaksione zinxhir dhe të krijonin një sasi të madhe mbetjesh hapësinore. Kjo do ta bënte gjithnjë e më të vështirë dhe të rrezikshme përdorimin e orbitës së Tokës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: