I ftuar në një lidhje Skype në emisionin 'Kafe Shqeto' në SYRI TV, deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përgatit vjedhjen e radhës elektorale, ndërsa paralajmëroi një protestë më të fuqishme dhe me pjesëmarrje më të madhe.
Xhaferri deklaroi se partia-shtet vijon të punojë për krimet elektorale, duke theksuar se ndërsa PS përgatit manipulimin e zgjedhjeve, opozita nuk do të bëhet pjesë e kësaj skeme.
Deputeti demokrat e cilësoi protestën 180-ditore si një qëndresë të qytetarëve kundër qeverisë Rama dhe u shpreh se zhvillimet e fundit brenda kampit socialist po shtojnë pakënaqësinë dhe po motivojnë qytetarët për t'iu bashkuar revoltës.
Duke iu referuar reagimit të qeverisë ndaj protestave dhe përdorimit të forcave të armatosura, Xhaferri akuzoi Ramën se po kalon nga diktatura e gazit lotsjellës dhe presionit policor drejt diktaturës.
Ai u shpreh se protesta mund të përshkallëzohet në mënyrë të paparashikueshme, pasi, siç u shpreh ai, asnjë diktaturë nuk është e parrëzueshme deri në minutat e fundit.
Pjesë nga intervista:
Ne kemi mobilizuar të gjitha strukturat, si të degës ku jemi drejtues politikë, por patjetër që edhe si ish-kryetar i forumit, me të gjitha strukturat e forumit dhe të GRUD-it (Grupi Rinor Universitar Demokrat), do të jemi në ballë të protestës, për të pasur pjesëmarrjen më të lartë dhe protagonizmin e duhur. Organizimi i protestës u takon qytetarëve dhe studentëve.
Strukturat janë shumë të motivuara dhe të angazhuara. Ajo që shohin është se protesta e nesërme do të ketë një frymë krejt tjetër, të rigjeneruar dhe më të madhe, sepse vetë rrjeti zien. Ka shumë njerëz që po vijnë nga jashtë Shqipërisë. Është një datë simbolike, është një datë e Pavarësisë, por edhe e çlirimit të Shqipërisë, dhe patjetër që janë më të motivuar se kurrë. Por, siç e thatë edhe ju, jemi në ditën e 180-të të protestës. Pra, protesta tashmë është bërë një mënyrë jetese për shumë të rinj, shumë anëtarë të Partisë Demokratike, që sheshin e kanë përqafuar dhe nuk e kanë lëshuar gjatë gjithë kësaj kohe.
Tani është koha që ata që nuk janë çdo ditë në protestë të vijnë dhe të japin kontributin e tyre në këtë protestë historike. Ashtu siç duket e lodhshme dhe e gjatë, po ashtu ka pasur rezultate dhe efekte inkurajuese drejt rrëzimit të Edi Ramës.
Jo vetëm i kanë vjedhur zgjedhjet, por vazhdojnë t'i vjedhin. Po përgatisin vjedhjen e ardhshme, sepse partia-shtet nuk ndalon së punuari për krimet elektorale, të cilat deri tani mediat pranë qeverisë i quanin si shenjë se PS-ja ka ndezur motorët. Është një parti shumë e organizuar. Ju çfarë po bëni?
Gjithmonë përgjigjja ime ka qenë që PS-ja ka filluar krimin elektoral, por ne nuk bëjmë krim elektoral.
Pritshmëria mund të jetë e lartë, por unë besoj se është e bazuar mbi shumë faktorë. Pra, të gjitha këto që kanë ndodhur këto ditë, po ashtu edhe përçarja e madhe në kampin e Partisë Socialiste. Besoj që ajo që po shohim është vetëm maja e ajsbergut. Janë gjëra që i inkurajojnë njerëzit. Njerëzit, sheshi dhe protesta janë sanguinë, pra ndikohen nga gjëra, nga sinjale.
Pra, të mos harrojmë se si nisi. Nisi nga një grusht në Vlorë, një marrje zvarrë, dhe nisi.
Po ashtu, në datat 13-14 tetor u radikalizua prej thyerjes së një këmbë, që të gjithë e pamë. Pra, protesta, ashtu siç ka pritshmëri, ashtu edhe fillon dhe, le të themi, përshkallëzohet në një mënyrë të paparashikueshme.
Dhe kot nuk thonë kudo në botë që çdo diktaturë duket e parrëzueshme deri në 10 minutat e fundit. Dhe këtë e pamë gati-gati edhe më datë 20 tetor, kur Edi Rama nxori RENEA-n, sepse diktatura e tij, që ishte krijuar me gaz lotsjellës, polici dhe taktika të tjera, u rrëzua. Tani Edi Rama ka përqafuar diktaturën e gjakut edhe të vrasjes, sepse, duke shkelur ligjin dhe duke nxjerrë trupa të armatosura, tregon se tashmë është në nivelin tamam të diktatorëve të Amerikës Latine.
© SYRI.net