Liderët e Bashkimit Evropian nuk kanë arritur marrëveshje për buxhetin afatgjatë të periudhës 2028-2034, pas përplasjeve të forta për prioritetet e shpenzimeve dhe financimin e Ukrainës.

Negociatat në samitin e Brukselit zgjatën 12 orë, por përfunduan pa rezultat, ndërsa diskutimet do të rifillojnë më 17 dhe 18 dhjetor. Franca dhe Italia kërkojnë një buxhet më të madh për të mbështetur bujqësinë, industrinë dhe zhvillimin rajonal, ndërsa Gjermania dhe disa vende të tjera kërkojnë kufizimin e shpenzimeve për të shmangur rritjen e borxhit.

Përplasjet janë thelluar edhe për një kredi shtesë prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, të ndarë mes mbështetjes ushtarake dhe asaj financiare, plan që kundërshtohet nga Sllovakia, Çekia dhe Hungaria.

Kancelari gjerman Friedrich Merz këmbënguli se ndihma për Kievin duhet të miratohet nga të 27 vendet anëtare, duke deklaruar se BE-ja nuk përbëhet nga 23 apo 24 shtete. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se ulja e shpenzimeve afatgjata do të ishte një gabim strategjik, ndërsa Marine Le Pen e cilësoi procesin si një manovër politike kundër vullnetit demokratik të francezëve.

Buxheti aktual në diskutim parashikon 1 582 trilionë euro, ndërsa propozimi fillestar i Komisionit Evropian arrinte në 2 trilionë euro, me negociatorët që po shqyrtojnë një ulje prej rreth 220-230 miliardë eurosh.

Vendimet për buxhetin kërkojnë miratimin unanim të të gjitha vendeve anëtare, ndërsa në të njëjtin samit u emërua ekonomisti spanjoll Pablo Hernández de Cos si presidenti i ardhshëm i Bankës Qendrore Evropiane, në vend të Christine Lagarde, nga shkurti 2027.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: