Nga Auron Tare
(Titulli është marrë nga editoriali i Mero Bazes, botuar në gazetën Tema, më 15 mars 2014.)
Një mik shumë i mirë, me të cilin takohem shpesh, më ftoi për një kafe. Pasi u ulëm dhe porositëm, ai hapi bisedën,
Shiko, më tha, unë të njoh dhe ta di kokën, por kam një kërkesë.
Po, i thashë, më thuaj.
Ka lidhje me Butrintin.
Qesha.
Çfarë ka ndodhur?- pyeta me kuriozitet
Jo, jo, asgjë, më tha. Por isha me drejtuesin e AADF-së dhe biseda solli emrin tënd.
Me cilin ishe? -e pyeta duke buzëqeshur. – Me atë nga New York-u apo me atë nga Qyteti Stalin?
Me atë nga Stalini, – m’u përgjigj duke qeshur.
Pastaj vazhdoi
Më pyeti nëse do të kisha mundësi të flisja me ty, që të përfshiheshe në ndonjë projekt të AADF-së në Butrint.
Unë e di përgjigjen tënde, – vazhdoi ai, – por po ta them, ma kërkoi si favor. «Me të gjithë të tjerët i kemi rregulluar gjërat», – m’i përsëriti fjalët e drejtuesit të AADF-së.
Për respekt ndaj bashkëbiseduesit, nuk po e vazhdoj pjesën tjetër të bisedës. Megjithatë, më bëri përshtypje pikërisht ajo fjali e fundit: «Me të gjithë të tjerët i kemi rregulluar gjërat».
Ideja se drejtuesi i AADF-së në Tiranë, z. Martin Mata, i kishte rregulluar marrëdhëniet me zërat kritikë për çështjen e Butrintit, më intrigoi. Pikërisht për këtë arsye, dhe në respekt të të gjithë atyre që kanë ngritur zërin për çështjen e Butrintit, por edhe të autoriteteve shtetërore që kanë përgjegjësinë të mbrojnë interesin publik, po sjell më poshtë disa pjesë nga investigimi i gazetarit Mero Baze jo mbi Butrintin, por mbi një nga ngjarjet më tragjike të Shqipërisë postkomuniste, Shpërthimin e Gërdecit.
Se çfarë përfaqëson Gërdeci për Shqipërinë, besoj se tashmë e dinë të gjithë. Një tragjedi që mori jetën e 26 njerëzve dhe që mbetet një nga plagët më të rënda të tranzicionit shqiptar.
Por Gërdeci ka edhe një domethënie të veçantë për Partinë Socialiste. Çdo vit, në muajin janar, lidershipi socialist kryen homazhe në kujtim të viktimave të «21 Janarit», katër qytetarëve që u vranë përpara Kryeministrisë, pasi iu përgjigjën thirrjes së opozitës socialiste për protestë dhe drejtësi. Ku drejtësia për Gërdecin ishte në krye të listës.
Sigurisht, Gërdeci dhe «21 Janari» janë dy ngjarje të ndryshme, por të dyja mbeten pjesë e kujtesës politike dhe morale të vendit. Premtimi se do të kishte drejtësi ishte një nga forcat mobilizuese të Partisë Socialiste.
Megjithatë, vite më vonë, është pikërisht Kryeministri i Partisë Socialiste ai që shfaqet publikisht duke prezantuar një sërë projektesh të debatueshme për trashëgiminë kulturore dhe historike të Shqipërisë, në krah të një prej personazheve të përmendur në investigimet mbi Gërdecin, z. Martin Mata, sot drejtues i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF).
Sipas dokumentacionit të publikuar nga gazetari Mero Baze në mars të vitit 2014, në gazetën e tij Tema, si dhe materialeve investigative të transmetuara nga Top Channel (Firma që ndërtoi Gërdecin), Martin Mata ishte bashkëpronar në kompaninë “Trans Digging Construction” (dokumenti 1). Kjo kompani, sipas publikimeve të sipërpërmendura, ishte angazhuar në punimet për prishjen e objekteve ushtarake dhe ndërtimin e infrastrukturës së fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.
Bëhet fjalë për një operacion të zhvilluar larg syrit të publikut shqiptar, në mënyrë sekrete dhe me një nivel të lartë konfidencialiteti, për të cilin, sipas investigimeve të publikuara, ishte në dijeni një rreth i ngushtë personash pranë Kryeministrit të kohës, Sali Berisha, dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Emri I “Trans Digging Construction” (ku z. Mata ishte bashkëpronar) shfaqet në dokumentacionin e Policisë Ushtarake, e cila, me shkresën nr. 197, datë 13.06.2007, nën siglën «Konfidenciale», i cilëson punimet e firmës private si «Veprimtari Kriminale». (Burimi: Shqiptarja.com – Dossier: Si ka shkelur Mediu Kodin Penal Ushtarak, duke favorizuar veprime të jashtëligjshme të Ministrisë së Mbrojtjes)
Pra, investigimet e medias së kohës, të mbështetura në dokumente nga Ministria e Mbrojtjes, që lidhen me një prej operacioneve më të errëta të shtetit shqiptar, i cili përfundoi me një tragjedi njerëzore të përmasave të jashtëzakonshme, nxjerrin në pah edhe përfshirjen e z. Martin Mata.
Për identitetin e z. Mata, me qëllim që të jemi të saktë dhe të mos ngatërrohemi me një person me emër të ngjashëm, gazetarët kanë publikuar dy dokumente që, sipas tyre, sqarojnë identitetin e tij. Dokumenti i parë tregon z. Mata si bashkëortak në kompaninë «Trans Digging Construction». Dokumenti i dytë tregon z. Mata, në cilësinë e përfaqësuesit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (paraardhësi i AADF-së), duke firmosur për krijimin e kompanisë “ALEAT”, e cila do të prodhonte pasaportat shqiptare. ( dokumentat me poshte)
Ndërkohë, në shkrimet e Mero Bazes, në investigimin e Top Channel dhe në atë të Shqiptarja.com, ngrihet një pyetje që meriton ende përgjigje. Përse Prokuroria e Përgjithshme e asaj kohe, e cila sekuestroi dokumentacionin e Gërdecit, nuk e thirri Martin Matën për të dhënë shpjegime mbi rolin e kompanisë së tij në këtë operacion? Përse SPAK-u, i cili po heton ngjarjen, nuk e ka thirrur asnjëherë z. Mata për të dëshmuar se kush e përzgjodhi kompaninë e tij për punimet në Gërdec?
Këtyre pyetjeve mund t’u shtojmë edhe një tjetër, a kishte dijeni Bordi i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve për përfshirjen e z. Mata në ngjarjet e Gërdecit? A ka qenë kjo përfshirje pa dijeninë e këtij Bordi? Apo z. Mata ka punuar për llogari të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve në projektin e Gërdecit? Ne CV e Z Mata vihet ne dukje se ai ka filluar pune ne Fondin Shqiptaro-Amerikan qe ne vitin 2000. Pra ne kohen kur firma e tij ‘Trans Digging Construcion” ndertonte Fabriken e Vdekjes ne Gerdec ai ishte punonjes i Fondit.
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje institucionale dhe dokumentare, veçanërisht sot, kur shohim rolin e z. Martin Mata, nga Gërdeci te Parku Kombëtar i Butrintit, Muzeu Hebraik në Vlorë, marrja nën kontroll e rrjetit të trashëgimisë kulturore apo edhe edukimi i rinisë shqiptare.
Sot, z. Martin Mata drejton Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, një organizatë private me seli në Delaware, SHBA, e cila prej vitesh, pa një shpjegim të qartë, ka fituar një rol të rëndësishëm në projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën publike shqiptare.
Me mbështetjen e Kryeministrit dhe në bashkëpunim me strukturat e qeverisë, AADF-ja është përfshirë në projekte që prekin fusha veçanërisht të ndjeshme: trashëgiminë kulturore kombëtare, administrimin e pasurive publike, të dhënat e qytetarëve dhe formimin e brezave të rinj të administratës.
Një nga projektet më të debatueshme është marrja nën administrim e Parkut Kombëtar të Butrintit, pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ky proces, tërësisht korruptiv, i cili ndryshoi Ligjin e Trashëgimisë Kulturore, u zhvillua me mbështetjen e plotë politike të Kryeministrit, ndërsa në krah të tij qëndruan edhe ish-ministret e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Elva Margariti.
Për këtë proces janë ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi transparencën, ligjshmërinë, interesin publik dhe mënyrën se si një pasuri e tillë kombëtare iu besua një fondacioni privat.
Deri më sot, Kryeministri nuk ka zhvilluar as Dialog dhe as ka dhënë shpjegime për publikun se përse një institucion privat u vendos në një pozicion kaq të rëndësishëm në administrimin e një prej pasurive më të çmuara të Shqipërisë. Përse Kryeministri i vendit vendosi t’ia besojë fatin e Parkut të Butrintit, pasuri botërore e UNESCO-s, jo institucioneve të Republikës, por një institucioni privat të drejtuar nga një prej njerëzve të përmendur në investigimet mbi ngjarjen e Gërdecit?
Dhe, mbi të gjitha, mbetet një kontradiktë politike që kërkon shpjegim, si mundet që një parti, e cila e ka përdorur Gërdecin si një nga simbolet e saj më të forta të luftës kundër korrupsionit, të ndërtojë sot një bashkëpunim kaq të ngushtë me një personazh, emri i të cilit është përmendur në investigimet mbi atë tragjedi dhe në dokumentacionin e institucioneve ushtarake si “Veprimtari Kriminale”?
Një tjetër projekt ku eshte perfshire Z.Mata dhe AADF-së që ka shkaktuar debat të konsiderueshëm është krijimi i Muzeut Hebraik në Vlorë.
Përtej rëndësisë që ka historia e pranisë hebraike në Shqipëri dhe përtej respektit që meriton kujtesa e saj, mënyra se si po realizohet ky projekt ngre pikëpyetje serioze.
Shkatërrimi i një godine me rëndësi historike dhe simbolike për Labërinë, ndërhyrjet në një hapësirë me identitet të konsoliduar kulturor dhe mungesa e një debati të gjerë me komunitetin vendas kanë krijuar një pakënaqësi që nuk mund të shpërfillet. Të gjitha këto ndërhyrje janë udhëhequr pikërisht nga z. Martin Mata dhe mbështetur publikisht nga Kryeministri i Republikës.
Qartësisht, në një qytet si Vlora, me një respekt tradicional për të gjitha kulturat e ndryshme të pranishme në të dhe pa sentimente anti-izraelite, sot kemi një problem të madh që ka trazuar qytetarët. Projekti i udhëhequr nga z. Mata po imponon një version historik i cili, sipas kritikëve, nuk ka marrë parasysh as kontekstin historik, as identitetin urban dhe as ndjeshmërinë e banorëve të Vlorës.
Një tjetër fushë veçanërisht e ndjeshme ku është përfshirë AADF-ja lidhet me procesin e prodhimit të dokumenteve biometrike dhe pasaportave të qytetarëve shqiptarë.
Bëhet fjalë për një aktivitet që ka të bëjë drejtpërdrejt me të dhënat personale të qytetarëve, me sigurinë e tyre dhe me përgjegjësinë e shtetit për administrimin e këtij informacioni. Të mos flasim për kostot, të cilat janë më shumë se dyfishi i një pasaporte të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, ku AADF-ja ka selinë e saj.
Në një vend ku të dhënat personale të qytetarëve përbëjnë një çështje të sigurisë kombëtare, transparenca mbi kompanitë e përfshira, kontratat, përgjegjësitë dhe mekanizmat e kontrollit duhet të jetë e plotë. A duhet që të dhënat e qytetarëve të Republikës të jenë në duart e një personi të përmendur në investigimet mbi Gërdecin, ku aktiviteti i kompanisë së tij është cilësuar nga autoritetet ushtarake si «Veprimtari Kriminale»?
Një tjetër çështje që meriton vëmendje është projekti i dixhitalizimit të arkivit të Ministrisë së Jashtme, i njohur si «Projekti Ypsilon». Sipas njoftimit të bërë publik më 17 tetor 2019, Michael Granoff, eprori i z. Mata dhe kryetari i Bordit të AADF-së, i është drejtuar Ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Gent Cakaj, lidhur me këtë projekt, duke kërkuar dixhitalizimin e arkivit diplomatik.
Arkivi Diplomatik është një çështje me rëndësi të veçantë, pasi arkivat e Ministrisë së Jashtme përmbajnë dokumentacion historik, diplomatik dhe potencialisht të ndjeshëm për interesat e Republikës së Shqipërisë.
Me të drejtë, diplomatë shqiptare të njohur me kërkesat e përsëritura të z. Granoff, drejtuar edhe lidershipit të ri të Ministrisë së Jashtme, janë të shqetësuar për këto kërkesa dhe arsyet që qëndrojnë pas tyre.
Me të drejtë shtrohet pyetja, si mundet që një kompani private si AADF-ja të ketë në kontroll një arkiv diplomatik pa një proces të qartë kontrolli institucional, aq më tepër kur bëhet fjalë për një organizatë të drejtuar nga një person, emri i të cilit është përmendur në investigimet mbi ngjarjet e Gërdecit dhe aktivitetin e kompanisë së tij?
AADF-ja ka marrë tashmë nën kontroll edhe QSA-në, institucion i Ministrisë së Arsimit, nën drejtimin e ministres Kumbaro. Përsëri lind pyetja, përse një institucion që kontrollon testimet, licencimet, numrat e matrikulimit të studentëve, njohjen e diplomave dhe shërbime të tjera arsimore, pra shërbime që duhet të administrohen nga shteti, i dorëzon këto funksione në duart e një kompanie private?
Një tjetër projekt madhor ku AADF-ja është e përfshirë është ai i rinisë. Përtej premtimeve për një qendër rinore në godinën e Piramidës, e cila ka humbur tërësisht identitetin e saj historik, AADF-ja prej vitesh rekruton të rinj, të cilët dërgohen për trajnime pranë kompanive për të cilat shteti shqiptar nuk ka informacion të saktë.
Pas kthimit të këtyre të rinjve në Shqipëri, është po AADF-ja ajo që vendos disa prej tyre në pozita kyçe pranë ministrive të ndryshme.
Në dukje, ky është një proces me interes për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë në karrierën e tyre. Por, nëse vërejmë se përzgjedhja dhe rekrutimi bëhen drejtpërdrejt nga z. Mata, me të drejtë lind pyetja, a mundet që të rinjtë tanë të rekrutohen dhe të përzgjidhen nga një person i përmendur në investigimet mbi ngjarjet e Gërdecit, ku kompania e tij është cilësuar nga autoritetet ushtarake si «Veprimtari Kriminale»?
Në lidhje me projektet e mësipërme, duhet parë me kujdes edhe roli i z. Michael Granoff si autoriteti drejtues i AADF-së.
Marrëdhënia midis z. Mata dhe kreut të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), z. Michael Granoff, ngjall interes, nëse kemi parasysh se z. Mata ka qenë një prej të përzgjedhurve të rrethit të ngushtë të ish-Kryeministrit Berisha për operacionet në Gërdec.
Po kështu, sipas CV-së së z. Mata, mësojmë se ai ka qenë edhe «Këshilltar i Kryeministrit», edhe pse emri i këtij Kryeministri është lënë bosh.
Në CV-në e z. Mata mësojmë gjithashtu se ai ka qenë pjesë e AADF-së së sotme që në vitin 2000. Pra, qartësisht, gjatë periudhës së punimeve nga kompania e tij në Gërdec, ai ka qenë punonjës i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (AADF).
Për këtë arsye, pyetja që duhet t’i drejtohet z. Michael Granoff është mjaft e thjeshtë, a kishte dijeni ai që punonjësi i tij ishte i përfshirë në aktivitetet e lidhura me Gërdecin? Apo z. Mata ka kryer punime në Gërdec për llogari të institucionit që drejtonte në atë kohë z. Granoff?
Z. Granoff, një financier me seli në New York, i cili shpesh mbledh në banketet e tij përfaqësues të politikës shqiptare, ka ndikim në të dyja krahët e saj dhe, me lehtësi, mund të gjejë informacionin e duhur.
Për të kuptuar më mirë rrjetin e marrëdhënieve institucionale në të cilin operon AADF-ja, duhet parë edhe profili i drejtuesit të saj amerikan, Michael Granoff.
Përpos aktivitetit të tij në fushën e financës dhe kohëzgjatjes së tejskajshme në krye të fondit AADF, z. Granoff është ekspozuar mjaft kohët e fundit në një sërë aktivitetesh edhe në fushën e trashëgimisë kulturore shqiptare, rinisë, arsimit e kështu me radhë.
Përse ky angazhim? Është pak e vështirë për t’u kuptuar, kur dukshëm e kaluara e tij nuk i jep asnjë mundësi të kuptojë se çfarë është trashëgimia kulturore apo çfarë përfaqëson ajo për një vend të vogël ballkanik.
Me një vëzhgim të shpejtë të CV-së së tij (edhe pse paksa të fryrë dhe të ekzagjeruar), sipas bashkëpunëtorëve të tij që e njohin në New York, mund të dallojmë një të dhënë interesante.
Michael Granoff është përfshirë në strukturat e “Institute for National Security Studies (INSS)”, një institucion kërkimor me seli në Izrael, i cili merret me studimin e sigurisë kombëtare, mbrojtjes, inteligjencës dhe çështjeve strategjike.
Sipas faqes zyrtare të institutit, Bordi Ndërkombëtar i Administratorëve përfshin personalitete nga fusha e diplomacisë, sigurisë, qeverisjes dhe akademisë. Anëtarët e tij marrin pjesë në veprimtari dhe takime me studiuesit e institutit dhe informohen mbi çështje të sigurisë kombëtare, ekonomisë dhe inteligjencës. Për të kuptuar rëndësinë e këtij institucioni, mjafton të lexojmë se dy vite më parë drejtimin e tij e mori ish-shefi i Inteligjencës Ushtarake të Izraelit. (INSS – Bordi i Drejtorëve)
Por çfarë e lidh një financier amerikan, me përfshirje në strukturat drejtuese të një institucioni strategjik me seli në Izrael, me një drejtues shqiptar të përmendur në investigimet mbi Gërdecin?
Hamendësimet janë të shumta, por përgjegjësia për mënyrën se si u besohen institucioneve private projekte që lidhen me pasuri kombëtare, të dhëna personale, arkiva diplomatike dhe formimin e administratës publike i takon shtetit shqiptar.
A ka dijeni Kryeministri për rolin e Martin Matës në kompaninë e përfshirë në punimet e Gërdecit? Nëse po, përse nuk ka dhënë asnjëherë një shpjegim publik për këtë bashkëpunim?
Ndërkohë, në një Republikë serioze, ashtu siç na u premtua dikur, askush nuk duhet të jetë aq i fuqishëm sa të mos japë llogari për atë që ka bërë në dëm të popullit të vet.
Gërdeci nuk është thjesht një tragjedi e së kaluarës. Është një provë e vazhdueshme për drejtësinë, kujtesën dhe përgjegjësinë publike, të cilën Kryeministri ynë kujdeset të na e kujtojë çdo 21 janar.
Dhe sa herë që emrat e lidhur me atë histori shfaqen në qendër të projekteve të rëndësishme shtetërore, pyetjet bëhen edhe më të domosdoshme.
Ku është llogaridhënia?

