Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë si autor i dyshuar i vjedhjes në dy subjekte dhe një banesë në Golem dhe Kavajë.

Sipas bluve të Durrësit  vjedhjet janë kryer gjatë tetorit. 38-vjeçari Erlind Shehaj ka marrë shuma parash, laptop, celular, pajisje të ndryshme elektronike dhe mjete pune.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me  shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i punës hetimore të kryer me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Traces”, kanë bërë të mundur zbardhjen e tri rasteve të vjedhjes, kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar, shtetasit:  

-E. Sh., 38 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, gjatë muajit tetor, 2026, ka vjedhur shuma parash, laptop, celular, pajisje të ndryshme elektronike dhe mjete pune, në dy subjekte dhe në një banesë, në Kavajë dhe në Golem.    

Vijojnë hetinet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Vjedhja”.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë