Bota

Zelensky: Forcat ruse po përgatiten të nisin një sulm të ri ajror dhe raketor!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky paralajmëroi se shërbimet e Inteligjencës kanë informacione sipas të cilave forcat ruse po përgatiten të nisin sulm të ri ajror dhe raketor në shkallë të gjerë ndaj vendit, ditët në vijim. Qytetarëve iu kërkoi të mbeten vigjilentë dhe t’u përgjigjen menjëherë alarmeve ajrore.

Zelensky nënvizoi se do të rindërtojnë çdo gjë që shkatërrohet dhe shtoi se do të vazhdojnë të reagojnë me forcë ndaj çdo sulmi që synon territorin ukrainas.

Forcat ruse kanë vijuar të kryejnë sulme intensive ndaj kryeqytetit Kiev dhe të tjera qyteteve ukrainase që nga shtatori i kaluar.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se një sulm me raketa balistike goditi qytetin gjatë natës, duke lënë 7 të plagosur e dëmtuar një qendër tregtare, si dhe dy ndërtesa të tjera. Ndërkohë, Moska tha se sulmet e saj kishin në shënjestër objekte të lidhura me operimin e dronëve.

Paralelisht me paralajmërimet për sulmin e pritshëm, inteligjenca ushtarake dhe ushtria ukrainase njoftuan zbatimin e një sërë sulmesh me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus.

Sulmet goditën një rafineri nafte në rajonin e Krasnodarit në jug të Rusisë, si dhe depozita nafte që i përkasin kompanisë Transneft në rajonin e Bashkortostanit.

Përveç kësaj, sulmet patën në shënjestër bazën ajrore ushtarake Marinovka në rajonin e Volgogradit. Këto veprime u ndërmorën në kuadër të përpjekjeve të Kievit për të dobësuar kapacitetet furnizuese ushtarake të Rusisë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.