Trump i kërkon Putinit të 'tërhiqet' nga agresioni në Evropë, SHBA-ja shtyn rishikimin e pranisë ushtarake

Trump i kërkon Putinit të 'tërhiqet' nga agresioni në Evropë, SHBA-ja shtyn rishikimin e pranisë ushtarake

09:52, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje presidenti rus, Vladimir Putin, që të ndalë të gjithë agresionin ushtarak në Evropë dhe t’i hapë rrugë një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën, teksa Uashingtoni po shtyn afatin për një rishikim të pranisë së tij ushtarake në kontinent.

Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se gjatë bisedimeve të fundit në Kinë me Putinin, i ka kërkuar liderit rus që të “tërhiqet nga i gjithë agresioni ushtarak kundër territoreve në mbarë Evropën, me shpresën se mund të arrihet një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe të arrihet shpejt”.

Duke e përshkruar konfliktin si një “gjakderdhje” që vret mijëra njerëz çdo muaj, Trump, në postimin e 26 nëntorit, mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës, vetëm disa ditë pasi u kritikua për shkak se e cilësoi Putinin si “miku im”.

Duke folur me gazetarët dhe pjesëtarët e ushtrisë amerikane më vonë më 26 nëntor, Trump e mbrojti ndryshimin e retorikës së tij si një taktikë pragmatike negociuese, teksa pranoi se një natë më parë kishte diskutuar “gjatë” për dislokimin e forcave në Evropë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida.

“Kam qenë shumë i ashpër ndaj Rusisë, por dua të arrij një marrëveshje”, tha Trump duke argumentuar se raportet personale janë thelbësore.

Kur u pyet nëse do të reduktojë rreth 80.000 trupa amerikane të stacionuara në Evropë – kryesisht në Gjermani, Itali dhe Mbretëri të Bashkuar – Trump theksoi se ndonëse aleatët evropianë fillimisht “nuk ndihmuan” lidhur me Iranin, përparimi i fundit për Grenlandën, mbështetja e shtuar e NATO-s në Iran dhe zotimet e aleancës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes drejt pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe për të blerë 750 aeroplanë luftarakë F-35 “më bëri të ndihem pak më ndryshe”.

SHBA-ja ka edhe trupa në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Uashingtoni veçse ka paralajmëruar se do të ketë ndryshime në kontributin e tij në KFOR, ndërsa në qershor, Komanda Evropiane e SHBA-së konfirmoi se do ta përshtatë gradualisht kontributin amerikan në mision, në përputhje me planet e NATO-s.

Ndërkohë, zëvendësambasadori i SHBA-së në NATO, Scott Oudkirk, informoi diplomatët e vendeve aleate gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Bruksel këtë javë se Uashingtoni do ta shtyjë publikimin e rishikimit të dislokimit të forcave amerikane në Evropë përtej 1 dhjetorit, siç ishte planifikuar më herët.

Zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë më 26 nëntor në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht për këto çështje, thanë se Pentagoni po finalizon pesë opsione të veçanta – secili i shoqëruar me një vlerësim formal ushtarak që përfshin kontributin e Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë të NATO-s – të cilat së shpejti do t’i paraqiten Trumpit.

Zyrtarët thanë se nuk mund ta thonë nëse vendimi përfundimtar do të shpallet para samitit të ardhshëm të G20-s që do të mbahet në Florida, në të cilën, sipas Trumpit, presidenti rus është i mirëpritur që të marrë pjesë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco