Një 34-vjeçar është arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit policor “Shkolla të Pastra”, pasi u kap me mbi 900 gramë kokainë të dyshuar të destinuar për shitje pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë në Kamëz dhe Fushë Krujë. Gjatë kontrollit të ushtruar në bulevardin “Nënë Tereza”, policia gjeti në automjetin tip “Toyota Yaris” që drejtonte 34-vjeçari një pako me 505.6 gramë kokainë, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u zbuluan edhe 397 gramë të tjera të së njëjtës lëndë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia e kokainës, automjeti dhe një celular, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.