“Oja t’prera”, performanca artistike në Prishtinë - një thirrje kundër dhunës dhe padrejtësisë ndaj grave

Artistja Saranda, e njohur me emrin artistik Ms. Indefinite, të enjten ka realizuar performancën artistike feministe “Oja t’prera” në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Performanca është organizuar në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, duke përcjellë një mesazh kundër dhunës ndaj grave dhe femicidit.
Përmes artit performativ, artistja ka trajtuar ndërprerjen e jetëve, lirisë dhe të ardhmes së grave si pasojë e dhunës, duke vënë në pah edhe dështimet institucionale dhe shoqërore në parandalimin e saj.
Në qendër të performancës ishin 12 trungje druri, të vendosura në formë ore, që simbolizonin kohën burokratike dhe pritjen e pafundme për drejtësi.
Përmes lëvizjeve rrethore dhe goditjeve me sëpatë, artistja ka shprehur kontrastin mes kohës së institucioneve dhe kohës së grave që jetojnë nën kërcënimin e dhunës.
Një nga momentet më domethënëse të performancës ishte akti përfundimtar, kur Ms. Indefinite hoqi shaminë e bardhë të punuar me oja dhe e lidhi atë në sëpatë, duke e shndërruar në një flamur simbolik.
Në përshkrimin artistik të veprës, oja paraqitet si metaforë e margjinalizimit të grave, të cilat historikisht kanë zbukuruar skajet e petkut dhe kanë qëndruar në skajet e shoqërisë, larg qendrave të vendimmarrjes dhe drejtësisë.
Mesazhi i performancës përmblidhet edhe përmes vargjeve:
“Në skaj të petkut,
në skaj të drejtësisë,
e dhimbshme deri n’asht.
Në qendër veç të tragjedisë.
Sa jetë i duhen kohës për t’ia ndërru rrjedhën historisë?”. /Telegrafi/


































