Dy persona janë arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 40.3 kilogramë kanabis në qytetin e Laçit, me qëllim shitjen. Në pranga kanë rënë Hermes Mihana, 25 vjeç, banues në Malbardhë të Kurbinit, dhe Hidajet Karaj, 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Storm”, në rrugën e fshatit Selitë, ku policia ndaloi për kontroll automjetin tip “Mitsubishi”. Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën katër thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 40.3 kilogramë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të arrestuarit e kishin siguruar drogën në fshatin Mafsheq, në Malësinë e Krujës, dhe po e transportonin drejt Laçit për ta shitur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 40.3 kilogramë kanabis, një peshore manuale, automjeti dhe një celular.
Dy personat akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.













