‘E prisja prej kohësh këtë rinovim. Do të shpërblej besimin në mënyrën më të mirë të mundshme’-kjo është ajo që ka thënë Carlos Augusto në momentin kur doli nga selia e Interit duke bërë të ditur zgjatjen e kontratës me Interin. Më pas erdhi edhe komunikata zyrtare e vetë klubir zikaltër.

‘Interi bën të ditur se ka arritur marrëveshjen për zgjatjen e kontratës me Carlos Auguston; mbrojtësi brazilian do të jetë zikaltër deri në 30 qershor të 2031-theksohet në komunikatën e Interit.

Me rinovimin e kontratës vjen edhe një rritje e pagës që shkon deri në rreth 3 milionë euro në sezon. Është ky një shpërblim që Carlos Augusto e meritoi në fushën e lojës. Braziliani në këtë sezon ka shfaqur një rendiment konstant dhe ka qenë mbrojtësi më i mirë i Interit. Madje Chivu, për t’i krijuar hapësira, ka lënë shpesh pushim Dimarcon ose ka spostuar Bastonin në qendër të treshes mbrojtëse. Paraqitjet në Serie A dhe Champions League bënë që Carlos Augusto të grumbullohej në kombëtaren braziliane në ndeshjet e fundit të saj.

Carlos Augusto, nga një alternativë luksi është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm dhe për këtë arsye, emri i tij ishte në krye të listës së rinovimeve që Interi kishte në programin e tij. Kjo edhe sepse agjenti i tij po dëgjonte për interesime nga klube të Serie A dhe ato jashtë Italisë. Pas mbylljes së çështjes së rinovimit me Carlos Augusto, në tryezën e drejtorit sportiv Baccin janë dosjet për rinovimin e Calhanoglu(me skadencë të kontratës në 2027), Dimarco(rinovim i njëanshëm përpara disa javësh deri në 2028), Thuram(2028) dhe Bastoni (2028).

Top Channel