Samiti i “Growth Plan”, tryezë mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres së BE-së. Mbërrin Marta Kos, pritet nga Rama
Tirana pret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan). Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka mbërritur në kryeqytet, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama në Pallatin e Brigadave.
Po ashtu, në Pallatin e Brigadave kanë mbërritur edhe liderët e Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Samiti zhvillohet nën temën “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku” dhe do të bëjë bashkë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, në një tryezë diskutimi mbi perspektivën europiane dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Për organizimin e këtij aktiviteti ka reaguar më herët gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka theksuar se Shqipëria mirëpret një tjetër aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i ‘Growth Plan’, me temë ‘Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku’, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Punimet e samitit do të nisin në orën 10:00 me mbërritjen e delegacioneve, ndërsa fjalët hapëse do të mbahen nga kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Në fokus të diskutimeve do të jenë zbatimi i reformave, nxitja e investimeve, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.
Pas përfundimit të sesioneve të punës, liderët do të realizojnë fotografinë zyrtare të samitit. Ndërkohë, në orën 12:30, kryeministri Rama dhe Komisionerja Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të prezantojnë përfundimet dhe mesazhet kryesore të takimit.
Takimi i nivelit të lartë zhvillohet në një moment të rëndësishëm për rajonin, teksa vendet e Ballkanit Perëndimor vijojnë procesin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian dhe zbatimin e projekteve në kuadër të Planit të Rritjes.
Ky mekanizëm synon të përshpejtojë integrimin ekonomik të rajonit përmes mbështetjes financiare, reformave dhe afrimit gradual me tregun e përbashkët europian.
Samiti i Tiranës synon të forcojë më tej dialogun dhe bashkëpunimin mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vendosur në qendër zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian.










