Futbolli shqiptar rikthehet sot në fushë me dy përballje interesante të vlefshme për javën e 13-të të Abissnet Superiore. Vëmendja do të jetë e përqendruar te sfida Tirana-Skënderbeu, që hap programin në orën 13:30, si dhe te derbi kryeqytetas Dinamo-Partizani, që do të luhet në orën 18:30 në “Elbasan Arena”.
Bardheblutë nuk kanë pasur vazhdimësi në rezultatet e këtij sezoni dhe aktualisht renditen në mesin e tabelës me 16 pikë. Përballja me korçarët përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të marrë tri pikët dhe për të përmirësuar pozitat në klasifikim.
Në krahun tjetër, Skënderbeu vjen në kryeqytet në një moment pozitiv, pasi ka arritur të shmangë humbjet në javët e fundit. Korçarët synojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive, çka e bën këtë takim edhe më interesant. Në orën 18:30, të gjitha vëmendjet do të zhvendosen në “Elbasan Arena”, ku Dinamo dhe Partizani do të përballen në derbin e kryeqytetit.
Përtej rivalitetit historik mes dy skuadrave, kjo përballje merr rëndësi të veçantë edhe për situatën e tyre në renditje. Dinamo po kalon një periudhë të vështirë, me dy humbje dhe dy barazime në katër javët e fundit, rezultate që kanë ndikuar drejtpërdrejt në pozicionin e saj në kampionat.
Blutë do të jenë sërish pa trajnerin Ilir Daja, i cili është i dënuar me pesë ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës dhe nuk mund ta shlyejë pjesën e mbetur të dënimit përmes pagesës. Nga ana tjetër, Alhasan rikthehet pas skualifikimit, ndërsa Qardaku do të mungojë për shkak dëmtimi.
Partizani, ndërkohë, udhëton drejt Elbasanit me objektivin e qartë për t’u larguar nga vendi i fundit në klasifikim. Të kuqtë vijnë pas humbjes me Vllazninë, por rikthimi i disa futbollistëve të rëndësishëm mund t’i japë skuadrës më shumë alternativa për këtë sfidë.
Një nga shqetësimet kryesore të Partizanit mbetet konkretizimi i rasteve për shënim. Këtë problem e ka pranuar edhe trajneri Karoglan gjatë konferencës për shtyp, duke e bërë të qartë se skuadra duhet të përmirësohet në fazën sulmuese.
Programi i sotëm – Java e 13-të
13:30 – Tirana-Skënderbeu, “Selman Stërmasi”
18:30 – Dinamo-Partizani, “Elbasan Arena”
