Kur Florian Bieber, politologu i njohur nga Luksemburgu, i famshëm për termin e tij ‘stabiliokracia’, u pyet se si funksionon një gjë e tillë, ai solli si shembuj Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiçin dhe praninë e tyre në dhjetëra samite dhe forume.
“Kryeministrat e rajonit shihen më shpesh me njëri-tjetrin në samite sesa me ministrat e tyre. Rama dhe Vuçiç luajnë një lojë të përbashkët: bashkëpunimi rajonal përdoret si shpërqendrim,” deklaroi ai.
Vuçiç ka rënë nga pushteti, por Edi Rama po e vazhdon këtë praktikë në mënyrë të pamëshirshme.
Pasi u fsheh nëpër vilat qeveritare për gati një muaj gjatë protestave studentore, Edi Rama ka marrë pjesë në të paktën tetë samite dhe forume.
Të gjitha këto shpenzime luksoze i shërbejnë atij për një qëllim, që të tregojë se sa e rëndësishme është stabilokracia në kurriz të demokracisë.
Këtë herë ka vendosur të sjellë në Tiranë edhe Marta Kosin për të treguar se gjërat janë në vijë dhe se pushteti i tij autokratik nuk është lëkundur.
Por çfarë sollën këto samite për demokracinë shqiptare?
Asgjë.
Përkundrazi, sipas autorëve të huaj, samitet po përdoren si maskë. Profesori Bieber shprehej se ndërsa lideri i premton Evropës stabilitet, Europa i mbyll sytë për atë që bën brenda vendit - kapjen e institucioneve, shtypjen e dhunshme të protestave, presionin mbi mediet, zgjedhjet e manipuluara me patronazhistë.
E njëjta kritikë vjen edhe nga raporti i Democratization Policy Council, nga Kurt Bassuener e të tjerë: “Perëndimi nuk mund të mbrojë demokracinë duke përqafuar autokratë në Ballkan”.
Në vitin 2022, kur histeria e samiteve ishte në kulmin e saj pas pandemisë, profesori kosovar Demush Shasha do e përshkruante më së miri këtë situatë në një shkrim.
“Njëzet e katër orë të Samitit në Tiranë shfaqën bukur hendekun në mes synimeve të procesit të zgjerimit dhe realitetit të rajonit.
Teksa liderët ishin duke diskutuar për “perspektivën evropiane” nën shoqërinë e shampanjës, karkalecave dhe crème brûlées në Pallatin e Kongreseve, në rajon ishin duke u mbyllur mediet, duke u hedhur bomba mbi kutitë e votimit, duke u sulmuar fizikisht opozita dhe duke u bërë thirrje për pastrim etnik.
Mesazhi kryesor i samitit ishte i ngjashëm me atë të Marie Antoinette: “Le të hanë karkaleca”!”
27 nëntor, Samiti i Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes në Tiranë
26 nëntor, Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë
25 nëntor, Samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Bruksel
16 nëntor, Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel
12 nëntor, Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Dublin
10 nëntor, Forumi për Zgjerimin dhe të Ardhmen e Evropës në Paris
3 nëntor, Samiti për Zgjerimin i EuroNews në Bruksel
22 tetor, Samiti i Procesit të Berlinit në Malin e Zi
© SYRI.net