Lapaj dorëzon 107 mijë firma për referendum kundër “Paketës së Maleve” dhe investimeve strategjike
Lëvizja politike “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka dorëzuar këtë të premte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi 107 mijë firma në mbështetje të një nisme që synon zhvillimin e një referendumi për shfuqizimin e dy ligjeve: atij për “Paketën e Maleve” dhe ligjit për “Investimet Strategjike”.
Lapaj, i shoqëruar nga anëtarët e grupit nismëtar, u paraqit në KQZ për të depozituar dokumentacionin dhe firmat e mbledhura, duke kërkuar që qytetarëve t’u jepet mundësia të shprehen drejtpërdrejt përmes referendumit mbi të ardhmen e këtyre dy ligjeve.
Kreu i “Shqipëria Bëhet” i cilësoi të dyja nismat ligjore si të dëmshme për interesat publike dhe pretendoi se ato përbëjnë një formë të grabitjes së pasurisë së vendit në favor të interesave të caktuara.
Sipas Lapajt, 107 mijë firmat e mbledhura janë një shprehje e qartë e vullnetit qytetar për të ushtruar të drejtën kushtetuese të vendimmarrjes së drejtpërdrejtë. Ai e konsideroi depozitimin e tyre në KQZ si një moment të rëndësishëm politik dhe demokratik, duke theksuar se synimi është që për herë të parë gjatë periudhës së tranzicionit shqiptar të zhvillohet një referendum i kësaj natyre.
Gjatë deklaratës së tij, Lapaj nuk i kurseu kritikat ndaj klasës politike, duke akuzuar përfaqësuesit e zgjedhur se nuk mbrojnë më interesat e qytetarëve, por u shërbejnë kryetarëve të partive dhe oligarkisë.
“107 mijë vullnete për ta çuar vendin në referendum, për të shfuqizuar Paketën e Maleve dhe Investimet Strategjike. Këto 107 mijë vullnete janë dëshmi e qartë se qytetarët shqiptarë duan që për herë të parë në historinë e Shqipërisë në tranzicion të mbahet një referendum, ku ata të ushtrojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të vendosin vetë për veten e vet dhe për vendin tonë”, deklaroi Lapaj.
Ai i cilësoi dy ligjet si dëshmi të asaj që e quajti “hajdutëri e madhe e atdheut”, duke argumentuar se qytetarët tashmë kanë shprehur qëndrimin e tyre përmes firmave të mbledhura dhe se ky vullnet duhet të marrë rrugën institucionale.
“Dua të theksoj se referendumi është një akt shumë i lartë demokratik, është instrumenti i demokracisë së drejtpërdrejtë, ku qytetarët e shprehin vullnetin e tyre jo më përmes të zgjedhurve, të cilët nga sa duket janë kthyer në kartona të kryetarëve dhe në shërbëtorë të oligarkisë, por drejtpërdrejt, duke vendosur vetë për fatin tonë, pra për fatin e çdo qytetari. Kjo është një ditë historike për Shqipërinë”, u shpreh kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



