Sot afati i fundit për apelimin e dënimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja kundërshton vendimin e Hagës
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duhet të njoftojë deri në fund të ditës së sotme nëse do të apelojë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Avokatët kanë paralajmëruar kundërshtimin e dënimeve, të cilat i konsiderojnë të padrejta.
Në vendimin e shpallur më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite heqje lirie. Sipas rregullores, palët kanë 30 ditë kohë nga shpallja e aktgjykimit për të paraqitur njoftimin për apel.
Pas këtij hapi, mbrojtja dhe palët e tjera duhet të depozitojnë argumentet ligjore brenda afateve të përcaktuara, ndërsa çështja do të shqyrtohet nga një panel prej tre gjyqtarësh të Apelit.
Në përfundim, Gjykata mund të lërë në fuqi vendimin, ta ndryshojë ose ta rrëzojë atë, si dhe të urdhërojë rigjykimin. Në rast se apelimi bëhet vetëm nga të dënuarit, gjykata nuk mund t’u caktojë një dënim më të rëndë se ai i shkallës së parë.
Nëse palët kundërshtojnë edhe vendimin e Apelit, ato mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.
/vizionplus.tv




