Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, dhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, janë takuar në Ohër, në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen para samitit të Procesit Brdo-Brioni.

Të dy përfaqësuesit ishin pjesë e një darke të organizuar nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ku morën pjesë edhe liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor.


Pjesëmarrja e Çupiqit në këtë takim shënon edhe udhëtimin e tij të parë zyrtar jashtë Serbisë që prej marrjes së detyrës së ushtruesit të presidentit.

Të pranishëm në darkë ishin edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe përfaqësues të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.

Takimi u zhvillua në prag të samitit të 15-të të Procesit Brdo-Brioni, ku Kosova dhe Serbia janë pjesë e së njëjtës nismë rajonale, e cila synon forcimin e bashkëpunimit dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Samiti mbahet këtë të premte në Ohër, nën organizimin e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa bashkëorganizatorë janë presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Në fokus të diskutimeve janë perspektiva evropiane e rajonit, reformat e nevojshme, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Nuk është bërë e ditur nëse Shiroka-Pulja dhe Çupiçi do të zhvillojnë një takim të veçantë dypalësh gjatë qëndrimit në Ohër. /Telegrafi/