AKU-ja bllokoi ngarkesën me 54 ton mish pule me certifikata false dhe e ktheu në Brazil, por ndaj pronarit të kompanisë “ZICO” dhe i “Bana King” Trifon Murataj, i vënë në akuzë në disa raste për trafik kokaine nga vendet e Amerikës Latine, nuk figuron të jetë nisur procedim penal. Dyshohet se “ZICO” dhe “Bana King” nën maskën e importit të bananeve nga Ekuadori, kontrabandojnë tonelata të mishit nga Brazili me dokumente false.
54 ton mish pule kthehen në Brazil
Më 25 nëntor 2026, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi në Portin e Durrësit 54 ton mish pule me origjinë nga Brazili, të futur në Shqipëri nga kompania “ZICO”, e njohur si “Bana King”, në pronësi të trafikantit Trifon Murataj.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi që sasia e mishit të kthehet në Brazil, sepse të dhënat e certifikatave shoqëruese të tij nuk përputheshin me të dhënat në sistem, pra ishin false.
Arsyeja tjetër lidhet me faktin që ishte kontrabandë, mbasi prej 3 shtatorit 2026 Shqipëria ka ndaluar importin e mishit nga Brazili, me vendim të BE-së për shkak të rrezikut ndaj konsumatorit.
Në këtë rast, nuk dihet se si është siguruar hyrja e lirë të konteinerëve me 54 ton mish pule kontrabandë në Portin e Durrësit.
Po pas informacioneve nga agjencitë europiane të sigurisë ushqimore, ngarkesa ka ndeshur në kontrollin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, që ia bllokoi dhe e detyroi ta rikthejë në Brazil.
ZICO dhe Bana-King importojnë mish?
Sipas informacioneve, rezulton se nëpërmjet kompanisë së tij “ZICO-Bana-King”, Trifon Murataj ka 13 vite që fut në Shqipëri tonelata mishra nga Brazili, duke përdorur dokumente false të cilësisë, sigurisë e sasive, madje ka futur edhe pas datës 3 shtator 2026, kur është bllokuar importi i mishit nga Brazili.
Ndërsa drejtësia nuk ka vepruar ndaj pronarit të “Bana King”, as për ngarkesat e mishit të pulës të futura kontrabandë; siç ka mbyllur sytë në rastet e kapjes së kokainës në Durrës.
Pyetja që bëhet është kjo: A do të kallëzohet penalisht për kontrabandë Trifon Murataj nga Ministria e Bujqësisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Drejtoria e Doganave?
Rastet e trafikimit të kokainës me kontenierët “Bana King”
Nën maskën e aktivitetit të “Bana King”, Trifon Murataj ka ngritur dhe drejton një rrjet të sofistikuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, duke e përdorur Portin e Durrësit, shkruan Pamfleti.
Referuar të dhënave, si dhe burimeve nga brenda sistemit të drejtësisë, dalin në dritë fakte të rënda që konfirmojnë mbrojtjen shtetërore të këtij trafikanti.
Dhe raportet e SHISH-it, Drejtorisë së Antitrafikut e agjencive ndërkombëtare DEA e Europol kanë skeduar kompaninë “ZICO-Bana King” si mbulesën logjistike të rrjetit të Muratajt.
Më 31 dhjetor 2021, në kontenierët e “Bana King” u kapën 119 kg kokainë, por Trifon Murataj nuk u prek nga policia e drejtësia.
^ Më 17 korrik 2022, u zhdukën 50 arka me rreth 1.5 ton kokainë nga kontenieri i “Bana King”, por Trifon Murataj nuk u prek.
^ Më 4 nëntor 2022, u kapën 35.5 kg kokainë në portin e Durrësit, në kontenierin e “Bana King”, por Trifon Murataj nuk u prek.
^ Më 8 dhjetor 2023, një kontenier i “Bana King” me 1 ton kokainë kaloi pa kontroll e doli lirisht nga Porti i Durrësit, ndërsa Trifon Murataj nuk u prek.






