Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, Kos bëri të ditur se Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave të parashikuara, Shqipëria 80%, ndërsa Maqedonia e Veriut 56%.
Si rezultat i këtij progresi, Shqipëria do të përfitojë 185.6 milionë euro në këstin e katërt të financimit, ndërsa Mali i Zi do të marrë 81 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut 70.9 milionë euro. Kos theksoi se vendet që kanë performuar më mirë do të përfitojnë më shumë fonde nga Plani i Rritjes.
“Deri më tani rezultatet tuaja janë të ndryshme. Tre shtete kanë bërë përparim të mirë për reformat, ndërsa tre shtetet e tjera nuk kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë që janë ofruar. Psh Mali i zi ka vënë në zbatim 94 përqind të reformave, që është mbresëlënëse. Përfiton 81 milion euro në raundin e dytë të pagesave. Shqipëria ka zbatuar 80 përqind të reformave dhe ju do të merrni 185.6 milionë euro në pagesën e 4. RMV ka zbatuar 56 përqind të reformave dhe do të marrë 70.9 mln euro.
Pra, fondet janë që të shpërndahen për ato vende që do të performojnë më mirë. Që dmth Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15 përqind më shumë nga Plani i Rritjes, RMV do të marrë 10 përqind më shumë. Përgëzime sepse e keni merituar këtë me anën e përpjekjeve për reforma. Për Serbinë, agjenda e reformave u hartua së bashku me qeverinë e mëparshme që nuk ofroi rezultate. Komisioni nuk i ka bërë asnjë pagesë Beogradit që nga janari dhe tani ekziston mundësia për një fillim të ri.
Ne kemi ofruar këshilla me përfaqësuesit e Listës Studentore se si mund të strukturohen reformat që të merren sa më shumë nga Plani i Rritjes. Në Kosovë, qeveria e re është një mundësi e re për të patur një fokus të ri për rrugëtimin drejt BE. Kjo është mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga Plani i Rritjes dhe për të marrë më shumë fonde. Do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit që të çojmë më tej këtë proces tashmë që i keni të gjitha institucionet. Bosnje ka nevojë që të ratifikojë marrëveshjet e duhura që të marrë nga Plani i Rritjes.”, tha ajo.
Sa i përket Serbisë, komisionerja bëri të ditur se Komisioni Evropian nuk i ka kryer asnjë pagesë Beogradit që prej janarit, pasi agjenda e reformave e hartuar me qeverinë e mëparshme nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme.
Ndërsa për Kosovën, Kos e cilësoi krijimin e institucioneve të reja si një mundësi për rifillimin e procesit të reformave dhe përfitimin e fondeve evropiane. Ajo njoftoi se do të vizitojë Prishtinën në fillim të dhjetorit.
Komisionerja u ndal gjithashtu te integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo qasje do t’u mundësojë ekonomive të rajonit të përfitojnë më herët nga tregu i përbashkët evropian, pa zëvendësuar procesin e anëtarësimit.
“KE ka prezantuar një qasje të re për integrimin gradudal. Do të ketë më shumë euro edhe përpara anëtarësimit, por ky integrim gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit. Ndërkohë që ecni përpara me reformat, ne do të hapim më shumë pjesë të tregut unik të BE për ekonomitë tuaja, përfshirë energjinë, transportin, teknologjitë dixhitale.
Në planet tona, ne do të ofrojmë më herët pjesëmarrjen tuaj në institucionet e BE, në ato fusha ku po ecni më shpejt përpara. Pres të dëgjoj mendimet tuaja se ku mund të kemi ecurinë më të shpejtë në mënyrë që të integrojmë ekonomitë tuaja në tregun e vetëm. Do të diskutojmë se si Ballkani Perendimor mund të përfitojë nga këto lidhje të reja të transportit se shumë prej korridoreve të tregtisë kalojnë nga Ballkani Perendimor, si Korridori 8 që lidh bregdetin e Adriatikut në Durrës me RMV. “, tha ajo. a.b




