Një avion i kompanisë ajrore EasyJet, i tipit Airbus A321, u detyrua të kryente një ulje emergjente në aeroportin e Edinburgut, pak më shumë se 50 minuta pasi ishte ngritur prej tij. Avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick të Londrës, por një problem teknik në motor detyroi pilotët të ndërprisnin udhëtimin. Ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 21:00. Banorë që jetojnë pranë aeroportit të Edinburgut raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm teksa avioni kalonte mbi zonën e tyre.
Edhe një prej pasagjereve në bord e përshkroi incidentin si përvojën më të frikshme të jetës së saj. Në rrjetet sociale, ajo pretendoi se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë që vinte nga motori menjëherë pas ngritjes. Sipas raportimeve të Daily Mail, avioni dyshohet se pësoi një defekt në motor, ndërsa sistemet sinjalizuan probleme me funksionimin e tij dhe temperatura të rrezikshme. Për shkak të situatës, pilotët aktivizuan edhe kodin e emergjencës Squawk 7700, sinjali ndërkombëtar i aviacionit që përdoret për të njoftuar një emergjencë të përgjithshme.
A terrifying moment for passengers last night on an easyJet flight from Edinburgh to Gatwick. On the climb out the left engine failed, with a very loud bang heard. The plane was squawking 7700 emergency and retuned to Edinburgh. The plane landed safely.
🎥 Kevin Newby. Sound on! https://t.co/0hHgibcEBI
— Iain Cameron (@theiaincameron) November 27, 2026
Avioni kreu disa rrotullime mbi Edinburg përpara se të rikthehej në aeroport dhe të ulej në mënyrë të sigurt, ku u prit nga shërbimet e emergjencës. Në një reagim për Daily Mail, një zëdhënës i EasyJet konfirmoi se fluturimi EZY816, nga Edinburgu drejt Londrës Gatwick, ishte kthyer për shkak të një problemi teknik. Sipas kompanisë, ulja u krye normalisht dhe prania e shërbimeve të emergjencës ishte një masë paraprake, në përputhje me procedurat standarde të sigurisë.
Për pasagjerët që mbetën të bllokuar në aeroport, EasyJet siguroi një avion alternativ për të vijuar udhëtimin drejt Londrës. Edhe një zëdhënës i aeroportit të Edinburgut konfirmoi incidentin, duke bërë të ditur se ekipet e emergjencës reaguan ndaj problemit me avionin sipas protokolleve të përcaktuara.
