Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, takoi homologen e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në Ohër, në kuadër të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit. Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në procesin e integrimit evropian, njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Kreu i Shtetit theksoi se marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën mbeten prioriteti parësor i Shqipërisë, duke nënvizuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimin e takimeve më të shpeshta mes dy vendeve.
Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë për të çuar përpara agjendën e përbashkët kombëtare, ku anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga objektivat kryesorë.
Sa i përket integrimit evropian, Presidenti Begaj deklaroi se Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian, ndërsa siguroi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht dhënien e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Po ashtu, vlerësoi përpjekjet e Kosovës për përmbushjen e standardeve evropiane dhe përafrimin me politikat e BE-së. Gjatë takimit u diskutua edhe për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Begaj rikonfirmoi se çështja e njohjeve nga shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap mbetet pjesë e agjendës së tij në takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte procesi gjyqësor në Hagë. Presidenti Begaj përcolli mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës, të drejtën kushtetuese për nismat ligjore mbi Dhomat e Specializuara dhe konsultimin me partnerët ndërkombëtarë.
Rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për një drejtësi të paanshme, që merr në konsideratë edhe kontekstin historik të luftës së popullit të Kosovës për liri.
Në përfundim, theksoi rëndësinë e promovimit të çështjeve që bashkojnë shqiptarët përtej politikës së ditës, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi dhe përfaqësimi i përbashkët në arenën ndërkombëtare do të ndihmojnë në avancimin e aspiratave evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.