Platforma amerikane e mediave sociale X ka prezantuar të enjten sistemin e saj të parë të kontrolleve prindërore, që u lejon prindërve dhe kujdestarëve të menaxhojnë përvojën online të adoleshentëve të moshës 13 deri në 17 vjeç, pa cenuar privatësinë e tyre. Lajmin e bëri të ditur vetë kompania përmes një deklarate, sipas së cilës funksioni i ri synon t’u japë familjeve mjete konkrete për të ndjekur aktivitetin e të miturve në platformë.
Sipas X, kontrollet prindërore u mundësojnë prindërve të shohin sa kohë kanë kaluar adoleshentët e tyre në platformë gjatë shtatë ditëve të fundit dhe të vendosin kufizime ditore për kohën para ekranit. Prindërit mund të kërkojnë gjithashtu miratimin e tyre për ndjekësit e rinj, gjë që, sipas kompanisë, i bën llogaritë e adoleshentëve private.
Ndër mundësitë e tjera është kufizimi i rekomandimeve dhe i videove në burimin “Për ty” vetëm në llogaritë që adoleshentët i ndjekin tashmë, filtrimi i fjalëve specifike, kufizimi i përmbajtjes së ndjeshme dhe kontrolli mbi atë se kush mund të dërgojë mesazhe të drejtpërdrejta. Prindërit mund të shohin edhe se me cilat llogari kanë komunikuar privatisht fëmijët e tyre, por jo përmbajtjen e këtyre bisedave.
Kreu i sigurisë së X, Michael O’Herlihy, e përshkroi funksionin si një hap praktik për familjet. “Prindërit duan mjete praktike dhe adoleshentët meritojnë hapësirë për t’u rritur”, tha ai, duke shtuar se me Kontrollet Prindërore në X familjet mund të vendosin parmakët që i përshtaten shtëpisë së tyre, ndërsa adoleshentët mbajnë pronësinë e llogarive dhe shohin çdo ndryshim.
Kompania thekson se mbikëqyrja nuk nis pa pëlqimin e të dyja palëve: si prindërit ashtu edhe adoleshentët duhet të bien dakord përpara se ajo të fillojë. Çdo prind ose kujdestar mund të mbikëqyrë deri në pesë llogari adoleshentësh, ndërsa një adoleshent mund të lidhet vetëm me një të rritur në të njëjtën kohë.
Kufizimet janë të qarta edhe për atë që prindërit nuk mund të bëjnë: ata nuk mund të lexojnë mesazhe private, të kenë qasje në historikun e kërkimit ose të shikimit, të publikojnë postime në emër të fëmijëve të tyre apo të hyjnë në llogaritë e tyre. Sipas X, mbikëqyrja përfundon automatikisht kur adoleshenti mbush 18 vjeç, ndërsa të gjitha ndryshimet e bëra përmes kontrolleve prindërore mbeten të dukshme për adoleshentin.
