E premte, 27 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Aksident masiv në Zvicër, përplasen 37 automjete, 10 persona të plagosur

Një aksident masiv me 37 automjete të përfshira ka ndodhur mëngjesin e së premtes në autostradën A1, pranë Winterthurit në Zvicër. Si pasojë e përplasjes zinxhir, 10 persona kanë mbetur të plagosur, gjashtë prej tyre me lëndime të lehta dhe katër me dëmtime të shkallës mesatare.

Aksidenti ndodhi rreth orës 05:45 në urën Hammermühle, në drejtim të St. Gallenit, në segmentin mes Effretikon dhe Winterthur-Töss. Në përplasjen e shumëfishtë u përfshinë 23 automjete, tetë kamionë dhe gjashtë furgonë.

Sipas policisë kantonale të Zyrihut, shkaqet e sakta të aksidentit janë ende të paqarta, por dyshohet se kushtet e vështira atmosferike dhe ngrica në rrugë kanë ndikuar në përplasjen masive.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe shërbimet e tjera të shpëtimit. Një person është nxjerrë nga automjeti ku kishte mbetur i bllokuar, ndërsa ekipet kanë marrë masa sigurie edhe për tërheqjen e një kamioni cisternë. Personat që nuk kishin pësuar lëndime u shoqëruan në një zonë pushimi pranë Kemptthalit.

Pas aksidentit, policia bllokoi plotësisht segmentin e autostradës mes Effretikon dhe Winterthur-Töss. Sipas njoftimeve fillestare, rruga pritej të qëndronte e mbyllur deri rreth orës 13:00, ndërsa drejtuesve të mjeteve iu kërkua të përdornin rrugë alternative.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.