Mjeku britanik Jonathan Tobin, i cili në vitin 2012 ndihmoi në shpëtimin e jetës së futbollistit Fabrice Muamba, është përjashtuar nga regjistri i mjekëve pas një marrëdhënieje s*ksuale me një paciente në gjendje të brishtë.
Në mars të vitit 2012, Muamba, atëherë vetëm 23 vjeç, pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes mes Bolton dhe Tottenham. Zemra e tij nuk rrahu spontanisht për 78 minuta. Ndërhyrja e Tobin dhe e ekipit mjekësor bëri të mundur shpëtimin e futbollistit, në një ngjarje që tronditi botën e sportit.
Por, sipas tribunalit disiplinor britanik, në korrik të vitit 2024 mjeku nisi një marrëdhënie intime me një paciente, e cila vazhdoi deri në nëntor të po atij viti. Tobin pranoi se kishte kryer marrëdhënie intime me të në ambientet e qendrës shëndetësore në Preston, gjatë orarit të punës.
Ai kishte organizuar gjithashtu vizita të panevojshme për ta takuar dhe kishte manipuluar kartelën e saj mjekësore për të fshehur marrëdhënien. Në dy raste kishte shënuar në mënyrë të rreme se pacientja nuk ishte paraqitur në konsultë.
Tobin pranoi se ishte i vetëdijshëm për gjendjen e brishtë të pacientes dhe se sjellja e tij i kishte shkaktuar asaj dëme të konsiderueshme.
Pavarësisht kontributit të tij në shpëtimin e jetës së Muambës dhe më pas të futbollistit Charlie Wyke në vitin 2021, tribunali vendosi se lejimi i mjekut për të vazhduar ushtrimin e profesionit do të cenonte besimin e publikut te komuniteti mjekësor. Ndaj tij u urdhërua edhe pezullimi i menjëhershëm.

