Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, synon të kandidojë për një tjetër mandat në vitin 2028, edhe pse Kushtetuta nuk ia lejon një kandidim të ri nëse zgjedhjet zhvillohen sipas kalendarit të parashikuar. Zgjidhja që po diskuton aleanca qeverisëse është mbajtja e zgjedhjeve një ose dy muaj përpara afatit.
Zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yilmaz, deklaroi të enjten se brenda aleancës qeverisëse tashmë ka konsensus për rikandidimin e Erdoganit.
“Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2028. Po diskutohet nëse mund të zhvillohen një apo dy muaj më herët. Ato mund të afrohen disi në kohë”, tha Yilmaz.
“Brenda aleancës tashmë ka një konsensus që Erdogan të kandidojë sërish”, shtoi ai.
Kushtetuta turke nuk i lejon Erdoganit të kandidojë për një mandat të tretë presidencial sipas kalendarit të zakonshëm zgjedhor. Megjithatë, ajo parashikon një përjashtim: presidenti mund të kandidojë sërish nëse Parlamenti vendos të zhvillojë zgjedhje të parakohshme përpara përfundimit të mandatit të tij aktual.
Aleati i ngushtë i Erdoganit, kreu i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, është shprehur në favor të zgjedhjeve të parakohshme për t’i mundësuar presidentit një tjetër kandidim. Edhe këshilltarët presidencialë kanë përmendur prillin e vitit 2028 si një datë të mundshme, ndërsa zgjedhjet janë planifikuar për në maj.
Por për të marrë një vendim të tillë nevojiten votat e të paktën 360 prej 600 deputetëve të Parlamentit turk. Aleanca qeverisëse nuk i ka votat e mjaftueshme për ta garantuar miratimin, çka do të thotë se Erdoganit do t’i duhet të sigurojë mbështetje edhe jashtë koalicionit të tij.
Diskutimet për rikandidimin e Erdoganit zhvillohen në një kohë kur përplasja mes qeverisë dhe opozitës, veçanërisht me Partinë Republikane Popullore (CHP), forcën më të madhe opozitare në Turqi, është intensifikuar. Drejtuesit e kësaj partie dhe disa kryebashkiakë të saj janë përballur me një sërë procesesh gjyqësore.
Kriza u thellua në maj, kur një gjykatë anuloi rezultatet e kongresit të CHP-së të vitit 2023, në të cilin Özgür Özel ishte zgjedhur kryetar i partisë, dhe urdhëroi rikthimin e ish-drejtuesit Kemal Kılıçdaroğlu. Vendimi shkaktoi përplasje brenda partisë dhe protesta të mbështetësve të saj.
Ndërkohë, ish-kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem İmamoğlu, rivali kryesor i mundshëm i Erdoganit në zgjedhjet presidenciale, ndodhet në burg që prej marsit të vitit 2025 për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon.
Një vendim gjyqësor që la në fuqi anulimin e diplomës së tij universitare ka shtuar pikëpyetjet nëse İmamoğlu do të mund të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Përplasja është shtrirë edhe në media, ku disa organe mediatike opozitare janë vendosur nën administrimin e shtetit. Rasti më i fundit ishte marrja nën kontroll e televizionit Sözcü TV dhe faqes së tij të internetit më 17 nëntor, duke shkaktuar kritika për gjendjen e lirisë së medias në Turqi.
Megjithëse aleanca qeverisëse ka rënë dakord për rikandidimin e Erdoganit, mundësia e tij për të kërkuar një tjetër mandat presidencial do të varet nga sigurimi i 360 votave në Parlament për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.







Komente
Komento