Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po ecën me ritme të mira në zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Europian dhe se, siç konfirmoi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vendi do të përfitojë edhe 15% shtesë të shumës së parashikuar.
Në konferencën e përbashkët me komisioneren europiane, Rama renditi katër drejtimet kryesore ku do të përqendrohet bashkëpunimi me BE-në, duke theksuar reformat për forcimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes, krijimin e një mjedisi konkurrues për biznesin, si dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
Një ndër përfitimet konkrete që përmendi kryeministri lidhet me integrimin e Shqipërisë në sistemin europian të transaksioneve dhe pagesave. Sipas tij, gjatë 11 muajve janë përpunuar 788 mijë transaksione, me një vlerë totale prej 7.8 miliardë eurosh.
Rama tha se kursimet e qytetarëve dhe bizneseve shqiptare nga përfshirja në këtë sistem kanë arritur deri tani në 20 milionë euro, ndërsa potenciali është që kjo shifër të shkojë deri në 71 milionë euro në vit.
Një tjetër çështje e rëndësishme, kreu i qeverisë u shpreh se është zgjerimi i regjimit të roaming-ut për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor, si dhe për ata që vizitojnë vendet e rajonit.
“Synimi ynë është që në vitin 2027 qytetarët tanë të kenë tarifa të reduktuara të roaming-ut. Ne jemi përdorues të mëdhenj të telefonave”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal edhe te investimet dhe inovacioni, duke vlerësuar konferencën e zhvilluar në Tiranë, e cila sipas tij evidentoi potencialin ekonomik të rajonit dhe krijoi mundësi të reja bashkëpunimi mes bizneseve.
Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e korridoreve të transportit dhe rrjeteve digjitale, të cilat i cilësoi si investime në kapacitetet e ekonomive të rajonit për të tregtuar dhe për t’u zhvilluar së bashku me tregun europian.
Megjithatë, Rama pranoi se procesi i integrimit ekonomik ka ende sfida për t’u kapërcyer. Si shembull solli turizmin, ku sipas tij vijojnë vështirësitë për lëvizjen e turistëve që dëshirojnë të vizitojnë disa vende të rajonit, por përballen me procedura dhe kërkesa të ndryshme për viza.
