Në konferencën e përbashkët me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria e sheh 2027-ën si vitin e saj në procesin e integrimit në BE. Rama tha se qeveria do t’i plotësojë detyrat pikë për pikë dhe duke iu referuar me humor Kos-it si “zysha që kam në krah”, theksoi se reformat i kërkon e ardhmja e vendit. Ai shtoi se Shqipëria nuk kërkon as dhurata, as mbyllje të syve nga Brukseli.
“Ne kemi një qartësi të plotë për vitin 2027. Komisionerja thotë se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Europian. Për ne, çdo vit është viti i Shqipërisë dhe nuk ka si të jetë viti i dikujt tjetër. Ajo që është e sigurt është se ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë për të përmbushur detyrat që kemi, sepse këtë na e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë. Na imponohet që t'i kryejmë këto detyra pikë për pikë.
Detyrat që kemi në funksion të anëtarësimit në BE janë njëkohësisht në funksion të modernizimit të Shqipërisë, përmbylljes së shtetbërjes europiane dhe konsolidimit të institucioneve. Diferencën e bëjnë institucionet. Ato janë ato që na dallojnë ende nga vendet të cilave duam t'u ngjajmë sa më shumë. Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër dhe as mbyllje sysh. Kërkojmë vetëm të marrim përsipër detyrat tona dhe t'i përmbushim ato në maksimum. Marta, edhe një herë, meqë kjo është vizita jote e fundit për këtë vit, të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne, për Shqipërinë dhe për rajonin, së bashku me ekipin tënd. Uroj që viti i ri të jetë më i miri i të gjithë viteve për ty, sepse sa më i mirë të jetë për ty, aq më i mirë do të jetë edhe për ne, në funksion të objektivit të shqiptarëve, që është integrimi në BE", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Plani i Rritjes/ Shqipëria do të marrë 185,6 mln € të tjera për reformat! Kos: Anëtarë të BE-së deri në 2030! Rama: Jemi më afër se kurrë (VIDEO)





