Rama: Shqipëria do të marrë 15% më shumë fonde nga Plani i Rritjes, 20 mln euro kursime nga integrimi në sistemin europian të pagesave
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të përfitojë 15% më shumë fonde nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, falë performancës në zbatimin e reformave dhe mekanizmit të rishpërndarjes së fondeve që nuk arrijnë të përthithen nga vendet e tjera. Në konferencën e përbashkët me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, Rama foli për ecurinë e integrimit europian, rezultatet e reformave dhe katër drejtimet kryesore të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë e cilësoi këtë periudhë si 48 orë të mbushura me zhvillime për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur samitin e BE-së me rajonin në Bruksel, konferencën e investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë dhe samitin e Planit të ri të Rritjes. Kryeministri bëri të ditur se diskutimet janë përqendruar në katër drejtime kryesore, të cilat sipas tij përbëjnë shtyllat e punës së përbashkët me Bashkimin Europian.
“Kanë qenë 48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor, nga Samiti i dhjetorit i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, tek Konferenca e Investimeve BE-BP, në edicionin e saj të dytë në Tiranë, dhe sot Samiti i Planit të ri të Rritjes, i cili për Shqipërinë ecën më së miri dhe, siç e konfirmoi edhe Komisionerja, Shqipëria do të marrë nga Plani edhe 15% plus të shumës së saj, në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera. Katër ishin drejtimet e diskutimit të brendshëm, sepse katër janë drejtimet e kësaj pune të madhe të përbashkët”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te drejtimi i parë, Rama theksoi rëndësinë e reformave që lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës, përmirësimin e qeverisjes dhe krijimin e një mjedisi konkurrues për biznesin, si dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
“ Së pari, reformat që forcojnë sundimin e ligjit, qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe digjital”, deklaroi kryeministri. Si drejtim të dytë, ai përmendi integrimin gradual të Shqipërisë në Tregun e Vetëm Europian, duke sjellë si shembull përfshirjen në sistemin europian të transaksioneve të parasë dhe pagesave.
Rama bëri të ditur se në 11 muaj janë përpunuar 788 mijë transaksione, me një vlerë totale prej 8.7 miliardë eurosh, ndërsa kursimet për qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë arritur në 20 milionë euro.
“11 muaj më parë Shqipëria hyri në sistemin europian të transaksioneve të parasë dhe pagesave dhe në 11 muaj janë përpunuar 788 mijë transaksione me një vlerë prej 8.7 miliardë eurosh. Dhe kursimet deri tani të shqiptarëve falë hyrjes në këtë sistem janë 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është për deri në 71 milionë euro në vit kursime nga xhepi i qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët europian të pagesave, jashtë të cilit këto 20 milionë euro do të kishin ikur tani nga xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe do të ishin nëpër bankat e Europës”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



