Vinçesk Piroli, i cili ishte liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm dhe ndodhej në arrest shtëpie, dyshohet se është përfshirë në pesë vrasje, përveç ekzekutimit të ish-policit Frrok Lleshi në Vaun e Dejës.
Sipas BW, Piroli së bashku me Kristian Ymerin dyshohet se kanë kryer të paktën katër vrasje të tjera kundrejt pagesës. Dyshimet janë ngritur pas dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë, e cila më pas është kryqëzuar me prova dhe të dhëna të tjera të administruara nga hetuesit.
Përveç vrasjes së Frrok Lleshit, i cili u ekzekutua në gusht të vitit 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, për motive të dyshuara gjakmarrjeje, Piroli dhe Ymeri dyshohet se kanë kryer edhe një tjetër vrasje në qytetin e Shkodrës. Për këtë ngjarje, hetuesit po vijojnë analizimin e provave.
Ndërkohë, tri vrasjet e tjera dyshohet se janë kryer në Tiranë. Edhe këto ngjarje dyshohet se kanë qenë krime të porositura, me qëllim përfitimin financiar.
Kujtojmë se Vinçesk Piroli u arrestua së bashku me Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan nga Policia e Lezhës, më 11 tetor 2026, nën akuzën e krijimit të kushteve për të kryer vrasje.
Nga hetimet rezultoi se tre personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar eliminimin e Erjon Tucit, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në trafikimin e 18 tonëve kokainë të sekuestruara në Astakos të Greqisë.
Sipas dyshimeve hetimore, vrasja e Tucit ishte planifikuar për motive hakmarrjeje, pas masakrimit të një shqiptari të dënuar me burgim të përjetshëm brenda një burgu të sigurisë së lartë në Greqi.
Megjithatë, pak ditë më parë, Vinçesk Piroli u lirua nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm. Ndërsa Kristian Ymerit masa e re e sigurisë për akuzën e vrasjes iu komunikua në ambientet e burgut.
LEXO EDHE:
Skandali/ Vinçesk Piroli në kërkim për vrasjen e policit, gjyqtarët e Apelit e liruan nga qelia













