Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një afat të mundshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Kos u shpreh se, nëse vendi vijon me ritmin aktual të reformave dhe plotëson kushtet, mund të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2030.

E pyetur nëse ekziston një datë konkrete për anëtarësimin e Shqipërisë, komisionerja theksoi se vendi ynë mund t’i përfundojë negociatat brenda afateve të parashikuara, nëse merr edhe mbështetjen e shteteve anëtare.

“Është edhe Shqipëria. Sa u përket udhërrëfyesve, jemi shprehur se Shqipëria mund t’i mbyllë kapitujt dhe, nëse shtetet anëtare do të japin dritën jeshile, në këtë kohë vitin e ardhshëm mund të jemi afër anëtarësimit. Shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për anëtarësimin, nëse do të ecim kështu dhe do të nënshkruhet në vitin 2028. Pra, Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar i BE-së deri në vitin 2030.”, tha Marta Kos.

I pyetur se përse procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE është zgjatur kaq shumë, kryeministri Edi Rama u përgjigj se ky proces nuk mund të krahasohet me një cikël arsimor, ku ekziston një datë e përcaktuar për përfundimin e tij. Rama theksoi se procesi varet nga vendimmarrja e 27 shteteve anëtare dhe kujtoi periudhat kur, sipas tij, Shqipëria ka përmbushur detyrat e kërkuara nga Komisioni Europian, por është përballur me kundërshtime nga një prej vendeve anëtare.

“Anëtarësimi në BE nuk është si një arsimim me një datë të përcaktuar, ku ti shkon në shkollë dhe mbaron gjimnazin e më pas merr diplomën e universitetit. Anëtarësimi në BE nuk ka një datë dhe nuk ka pasur të tillë për asnjë vend. Nga njëra anë je ti dhe nga ana tjetër janë 27 të tjerët. Në këto vite të drejtimit tim ka pasur një Komision Europian që e ka nisur jetën e vet me deklaratën se këto pesë vite nuk do të marrim asnjë në konsideratë për t’u anëtarësuar. Shqipëria ka pasur ato vitet e poshtërimit, ku Komisioni Europian certifikonte detyrat tona të bëra dhe një shtet thoshte: Jo! Ky është një proces që, për sa na takon, duhet të shihet si një mundësi unikale, e artë, një bekim.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: