Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka publikuar në Facebook një video me një audiopërgjim, në të cilin dëgjohen dy persona që flasin për të, duke e konsideruar kryeministër.
Krahas videos, Tahiri ka ironizuar me bisedën, duke iu referuar akuzave dhe përgjimeve të bëra publike në kuadër të hetimeve ndaj tij.
“Sa mirë mund ta njohësh partnerin… në krim? Mua për shembull, grupi im kriminal më kishte emëruar Kryeministër, promovim që e mora vesh vetëm nga përgjimet…
Work in progress….🎬”, shkruan Tahiri.
Ky është një tjetër postim i ish-ministrit, i cili më 26 shtator publikoi një mesazh në Facebook, duke paralajmëruar se do të rikthehej me rrëfime për historitë që kishte jetuar dhe ato që, sipas tij, ishin treguar për të.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua.
Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë!”, shkruante ai në atë kohë.
Postimet e Tahirit vijnë në një kohë kur ai ka lënë të kuptohet se po përgatit një rrëfim publik për çështjet dhe historitë që lidhen me të kaluarën e tij politike dhe përfshirjen në hetime.