“Çdo shtet i Ballkanit Perëndimor do të ecë drejt BE-së sipas meritave”/ Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi përfituan më shumë fonde sepse kanë kryer detyrat The Atlantic, Le Monde, Channel 5 News dhe Le Figaro kanë kërkuar informacion dhe intervista nga SPAK lidhur me hetimet për transaksionet e pronave në Zvërnec dhe projektet luksoze në Sazan. Prokuroria e Posaçme u është përgjigjur kërkesave, bën me dije gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, duke argumentuar se hetimet janë në fazën paraprake dhe se veprimet hetimore përbëjnë sekret hetimor.
Në kërkesën drejtuar SPAK, revista The Atlantic bën me dije se po përgatit një artikull që prek zhvillimet e planifikuara luksoze në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit. Gazetari ka kërkuar mundësinë për të zhvilluar një intervistë me një prokuror të SPAK, për të diskutuar mbi punën e institucionit, prioritetet e tij dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.
Përgjigjja e SPAK ka qenë se, për shkak të ngarkesës aktuale dhe angazhimeve institucionale, nuk ishte e mundur të organizohej një intervistë në atë moment.
Ndërkohë, gazeta Le Monde ka kërkuar një takim me një prokuror të ngarkuar me hetimin e pronave në zonën e Zvërnecit, me qëllim marrjen e informacionit mbi çështjen.
Në përgjigjen e saj, SPAK ka sqaruar se çështja ndodhet në fazën e hetimeve paraprake dhe se, bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore dhe rezultatet e tyre përbëjnë sekret hetimor.
“Përveç informacionit që është publikuar në njoftimin për shtyp, SPAK nuk ka asgjë tjetër për të shtuar në këtë fazë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Edhe televizioni britanik Channel 5 News i është drejtuar SPAK me një kërkesë zyrtare për informacion, duke kërkuar një kopje të redaktuar të aktakuzës prej 200 faqesh dhe vendimeve për sekuestrimin e pasurive, të nxjerra në qershor 2026, në lidhje me shtetasin A.Sh. Në kërkesën e tij, televizioni argumenton se kërkon dokumente të anonimizuara ose të redaktuara, të cilat mund të bëhen publike në përputhje me ligjin shqiptar për të drejtën e informimit, duke marrë parasysh kufizimet që lidhen me sekretin hetimor.
Por edhe në këtë rast, SPAK ka refuzuar të japë informacion shtesë, duke iu referuar konfidencialitetit që shoqëron hetimet në fazën paraprake.
Një kërkesë të ngjashme ka paraqitur edhe gazeta franceze Le Figaro, e cila ka kërkuar të informohet nëse ka zhvillime të reja në hetimet për transaksionet e tokave në Zvërnec dhe nëse ndonjë informacion tjetër mund të bëhet publik. Gazeta ka kërkuar gjithashtu mundësinë e një bisede të shkurtër me një përfaqësues të SPAK, qoftë edhe jashtë regjistrimit zyrtar.
Përgjigjja e SPAK ka qenë e njëjtë, për sa kohë hetimet ndodhen në fazën paraprake, nuk mund të bëhen publike detaje të tjera për çështjen.
Në të gjitha përgjigjet për kërkesat që lidhen me hetimet, SPAK u është referuar informacioneve të bëra publike përmes një njoftimi për shtyp të datës 12 qershor 2026.
Bëhet fjalë për njoftimin me titull: “SPAK godet një rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale; lëshohen urdhër-arreste dhe sekuestro mbi pasuri të shumta”, ku Prokuroria bëri publike operacionin dhe masat e marra ndaj personave dhe pasurive të përfshira në hetim.
Top Channel